Elversbergu është ende duke luftuar për t’u promovuar në Bundesligë për herë të parë në histori. Dhe këtë mund ta arrijë me Fisnik Asllanin që po e udhëheq sulmin e kësaj skuadre.
Sulmuesi 22-vjeçar i Kosovës ka 17 gola e gjashtë asistime në 31 paraqitje, katër më pak se Davie Selke i Hamburgut. Elversbergu ndërkohë ka 52 pikë në vendin e tretë në Bundesliga 2 dhe është në zonën e barazhit. Hamburgu është i pari me 56 pikë, një më shumë se Kolni.
Por Asllani ka mundur të mos jetë fare këtu ku është sot. Ka pasur disa lëndime të rënda ndër vite. Në një intervistë për emisionin “Real Talk” ka thënë se puna dhe dëshira e madhe për futbollin nuk e kanë lënë të dorëzohet.
“Kur shkova te Hoffenheimi ishte hera e parë me grupmoshën U23. Nuk isha shumë i fortë fizikisht por po zhvillohesha dhe po vëreja ndryshime në trup. Unë jam ambicioz dhe dua ta nxjerr më të mirën në stërvitje apo në ndeshje. Ndonjëherë doja të ushtroja më shumë. Ndoshta kam ushtruar aq shumë sa që trupi nuk e përballonte. Doja gjithnjë e më shumë. Por, në një pikë trupi më thoshte se duhej të ndalesha pak sepse nuk jam gati. Dhe natyrisht kjo ishte e vështirë për një djalosh 18-19-vjeçar. Unë doja që të shkoja sa më shpejt tek ekipi i parë për ta treguar veten, ndërsa trupi jepte sinjale se duhet të presësh ende”, ka deklaruar Asllani.
Asllani thotë se koha e lëndimeve ishte shumë e vështirë. Madje, njëri prej mjekëve i kishte thënë se nëse nuk operohet do të kishte telashe dhe se karriera mund t’i mbaronte.
“Secili rast e ka një arsye pse ndodh. Unë vetëm jam munduar që të përballem me të. Tani jam shumë më i fortë edhe mendërisht. Por tani mundohem që t’i shmang lëndimet dhe mundohem që të bëhem edhe më i fortë. Kam bërë edhe stërvitje mentale në atë kohë, për të dalë nga ajo fazë. E kam përjetuar më herët se të tjerët. Ndoshta kjo e ka edhe anën pozitive”, është shprehur reprezentuesi i Kosovës.
Asllani është i lumtur që e ka fituar edhe dashurinë e madhe të publikut. Ai tregon se në rrjetet sociale shumë njerëz i shkruajnë se dëshirojnë të bëhen si ai një ditë dhe se e shohin si inspirim. Flasin edhe për golat e bukur të cilët ai i shënon thuajse çdo javë në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.
22-vjeçari është i huazuar tek Elversbergu deri në fund të këtij edicioni. Më pas do të kthehet te Hoffenheimi, me të cilin ekip ka kontratë deri në vitin 2026.
Por synimi i Asllanit mbetet Liga e Kampionëve.
Hoffenheimi ende nuk e ka të sigurt mbijetesën në elitë, ndërsa Championsi mbetet larg për këtë ekip momentalisht.
“Klubi i ëndrrave është Barcelona. Dua që një herë ta vesh fanellën e Barcelonës. E di se është e vështirë për të arritur atje, por unë kam shumë synime dhe dua që të luaj në Ligën e Kampionëve. Ta dëgjoj himnin. Shpresoj të luaj një ditë e të shënoj shumë gola”.
Asllani ka luajtur për U17 të Kosovës, e më pas për U18 dhe U20 të Gjermanisë. Më pas vendosi ta përfaqësojë Kosovën. Debutimin e pati më 6 shtator ndaj Rumanisë në humbjen 3:0 në Prishtinë. Ka pesë paraqitje gjithsej.
“Prindërit dhe gjithë familjen e kam nga Kosova. Shkoj në pushime çdo verë atje. Kam shumë familjarë dhe zemra ime më tha që të luaja për Kosovën. Por duhet ta pranoj se pa futbollin gjerman, nuk do ta kisha këtë karrierë. Te grupmoshat e reja këtu jam kënaqur në çdo stërvitje. Por, zemra ime e zgjodhi Kosovën”, deklaroi Asllani.