Futboll

Asllani: Duam ta fitojmë çdo ndeshje

Kristjan Asllani

Mesfushori me tipare defensive, Kristjan Asllani, e ka komentuar fitoren e Interit ndaj Torinos. “Nerazzurrët” të dielën e mposhtën Torinon në udhëtim me rezultatin 2:0. 

Në këtë fitore të skuadrës së Simone Inzaghit me gol kontribuoi Asllani. 

Për Asllanin ishte goli i dytë rresht. 

Asllani në një intervistë për “Sport Mediaset” deklaroi se skuadra dëshiron që të fitojë çdo ndeshje. Ai shtoi se statistikat personale nuk i bëjnë përshtypje. 

“Erdhëm këtu në Torino duke kërkuar fitoren me çdo kusht. Ia dolëm dhe jemi të lumtur. Duhet të fitojmë, në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Ekziston dëshira për të fituar çdo ndeshje, jemi të lumtur që kemi ardhur në Torino dhe kemi luajtur një ndeshje si kjo. Nuk më interesojnë shumë statistikat, ajo që ka rëndësi është fitorja si ekip. Jam i lumtur që jam këtu dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Asllani. 

Pas gabimit të Napolit, Interi i është afruar kreut të tabelës në vetëm një pikë. 

Napoli të dielën mbrëma barazoi 2:2 me Genoan dhe lëshoi pikë shumë të rëndësishme në garën për titull kampioni në Serie A. 

Napoli pavarësisht barazimit vazhdon të jetë lider me 78 pikë. Një pikë më pak e ka Interi në vendin e dytë. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe dy xhiro. 

Asllani me Interin është edhe në finale të Ligës së Kampionëve.