Futboll

Aron Babaj firmos me Milanin

Aron Babaj

Futbollisti i talentuar kosovar, Aron Babaj, ka firmosur kontratë me Milanin.

Kjo është bërë e ditur të martën nga klubi i madh italian. Ai i bashkohet projektit të Milanit për të ardhmen, të njohur si “Milan Futuro Project”.

“Mesfushori i lindur në vitin 2009 ka firmosur me ‘Rossonerët’. AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë për agazhimin e Aron Babajt, që do t’i bashkohet ‘Milan Futuro Project’, një iniciativë e dedikuar për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të reja”, shkruan në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Milanit.

Deri më tani 16-vjeçari ishte te Prishtina e Re. Ai ka luajtur për U16 dhe U17 të Kosovës. Aroni është djali i Shpëtim Babajt, ish-lojtarit e tani trajnerit kosovar. Zhvillimin e ka bërë edhe në Norvegji te Skeid e Lyn dhe te Trepça.

“Milan Futuro” është njëri prej ekipeve të grupmoshave të reja të Milanit. Aktualisht garon në kategorinë e katërt të futbollit italian. Mosha mesatare në këtë ekip është 20,7 vjet.

Massimo Oddo i njohur, është trajner i këtij ekipi. Bëhet fjalë për lojtarë me potencial, të cilët Milani synon t’i zhvillojë dhe t’i bëjë gati për nivelin e të rriturve.

Edhe Prishtina e Re ka lëshuar një njoftim për kalimin e Babajat nga kjo skuadër te Milani.

“Mesfushori i KF Prishtina e Re, Aron Babaj, ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij, duke u bashkuar me AC Milan. Talenti i lindur në vitin 2009 do të jetë pjesë e AC Milan, një projekt i dedikuar zhvillimit dhe rritjes së futbollistëve të rinj, ku do të vazhdojë rrugëtimin e tij në një nga klubet më të mëdha të futbollit botëror. KF Prishtina e Re i uron Aronit shumë suksese në këtë kapitull të ri dhe është krenare që një lojtar i yni bëhet pjesë e një klubi me histori dhe reputacion të jashtëzakonshëm”, shkruan në njoftimin e klubit prishtinas.

Drejtor sportiv i Milanit është Igli Tare. Pjesë e ekipit të parë të njërit prej klubeve më të mëdha në Evropë është mesfushori Ardon Jashari.