Tifozët e Real Madridit iu kanë dhuruar përshëndetje emocionuese trajnerit Carlo Ancelotti dhe mesfushorit Luka Modriq – dy figurave më të dekoruara të klubit. Të shtunën, tekniku italian dhe mesfushori kroat u përshëndetën me fitore 2:0 në stadiumin “Santiago Bernabeu” ndaj Real Sociedadit, në ndeshjen e fundit të La Ligas për këtë edicion.
65-vjeçari Ancelotti do ta marrë drejtimin e Brazilit pasi i fitoi 15 tituj në dy periudha të ndryshme me klubin. 39-vjeçari Modriq fitoi 28 trofe në 13 sezone në Madrid.
Ancelotti dhe Modriq u përlotën në “Bernabeu”, pas fitores me dy golat e realizuar nga Kylian Mbappe.
“Ka qenë kënaqësi që e kam drejtuar këtë klub”, ka thënë Ancelotti teksa u fliste tifozëve në ceremoninë pas ndeshjes. “Periudhë e paharruar”.
Ndeshja u ndal për pak minuta kur Modriq u zëvendësua në minutat e fundit. Lojtarët e të dyja ekipeve e bënë gardën e nderit për veteranin, teksa ai po e linte fushën.
Edhe Modriq foli pas ndeshjes. Ai dhe shumë njerëz që ishin të pranishëm, qanë nga emocionet.
“Momenti që nuk e kam dashur të vinte, ka ardhur”, tha Modriq. “Por ka qenë një rrugëtim i gjatë, një rrugëtim i jashtëzakonshëm”.
Modriqi mori duartrokitje thuajse nga të gjithë të pranishmit në stadium dhe nuk arriti t’i mbaj lotët. Turma e thirri emrin e tij, ndërsa disa tifozë mbanin pankarta në falënderim të Modriqit e Ancelottit.
Modriqi, kapiteni i ekipit të shtunën, i përqafoi bashkëlojtarët dhe më pas gruan e tij dhe fëmijët që e prisnin fare pranë vijave kufizuese të fushës. Ai po ashtu e përqafoi Toni Kroosin, i cili u largua nga Madridi sezonin e kaluar pasi e formuan njërën prej mesfushave më të mira në historinë e klubit.
Një video u lëshua në ekranet gjigante të stadiumit me momentet kryesore të Modriqit. Mesfushori, megjithatë, do të luajë edhe në Kupën e Botës për Klube muajin e ardhshëm.
Modriqi e ndihmoi Madridin t’i fitonte gjashtë Kupa Evropiane, gjashtë Kupa të Botës për Klube, pesë Superkupa të Evropës, katër La Liga, dy Kupa të Mbretit dhe pesë Superkupa të Spanjës. Ai është njëri prej pesë lojtarëve që e ka fituar gjashtë herë Ligën e Kampionëve.
Mesfushori kroat ka luajtur 591 ndeshje për Madridin – i teti në listën e përgjithshme në këtë statistikë – dhe ka shënuar 43 gola, shkruan Associated Press të shtunën. Ai ka luajtur më pak minuta në sezonet e fundit nën drejtimin e Ancelottit.
Ancelotti largohet pas katër sezoneve më të suksesshme në periudhën e tij. Por në edicionin e fundit nuk e fitoi titullin, ndërsa u eliminua në Ligën e Kampionëve.
Ai po ashtu e udhëhoqi skuadrën prej vitit 2013 deri në vitin 2015. Në total, ai ishte në krye të Madridit në më shumë se 350 ndeshje dhe e ndihmoi klubin ta fitonte “Championsin” tri herë. E ka fituar tri herë Kupën e Botës për Klube, dy herë La Ligan, dy herë Kupën e Mbretit, tri herë Superkupën e Evropës dhe dy herë Superkupën e Spanjës.
Mbappe i realizoi golat në minutën e 38-të dhe të 83-të, për ta çuar numrin e golave të shënuar në 30 në këtë edicion. Ai ka pesë gola më shumë të realizuar se Robert Lewandowski. Polaku dhe Barcelona, kampionia e ligës, e mbyllin sezonin në udhëtim tek Athletic Bilbao të dielën.
Madridi e ka siguruar vendin e dytë.
Ishte ndeshje përshëndetëse edhe për trajnerin e Real Sociedadit, Imanol Alguacil, i cili largohet në verë pas gjashtë vjet e gjysmë në krye të ekipit bask. Pati vlerësime pozitive për të.
Gjyqtari Mario Melero Lopez po ashtu u paraqit për herë të fundit në një ndeshje.