Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 660 mijë euro për 12 ditë fushatë shpenzuan katër partitë kryesore

Fushata zgjedhore

Mbi 660 mijë euro janë shpenzuar nga katër partitë kryesore politike në vetëm 12 ditë fushatë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Dy të tretat e kësaj shume kanë shkuar për reklama, përfaqësim dhe konferenca, duke reflektuar një orientim të theksuar drejt promovimit medial, veçanërisht në platformat online

Mbi 660 mijë euro janë shpenzuar nga katër partitë kryesore politike në vetëm 12 ditë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Sipas raporteve financiare të paaudituara të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rreth 66 për qind e kësaj shume, apo mbi 435 mijë euro, janë orientuar në reklama, përfaqësim dhe konferenca.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rekordin e shpenzimeve në reklama e mban Lidhja Demokratike: 175.000 euro, përcjellë nga Vetëvendosja: 145.000, Partia Demokratike: 83.000 dhe në fund AAK-ja; 31.000 euro.

LDK-ja e mban edhe një rekord tjetër. Është partia me më së paku të hyra gjatë fushatës së dhjetorit, vetëm 1000 euro, përcjellë nga AAK-ja me 20.000, Vetëvendosja me 104.000 dhe partia me më së shumti të hyra, PDK-ja - 178.000 euro.

Ligji për zgjedhjet përcakton limitin e shpenzimeve të partive politike në fushata zgjedhore në bazë të numrit të votuesve të regjistruar. Për çdo votues 1 euro, e në zgjedhjet e dhjetorit në listat e KQZ-së kanë figuruar mbi 2 milionë votues të regjistruar. Ndërsa, limitin e poshtëm e përcaktojnë mundësitë dhe strategjitë e vet partive për të bërë fushatë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të martën pritet që të nxjerrë shifrën e votuesve të regjistruar dhe me këtë edhe limitin e sipërm të shpenzimeve për partitë për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, konkretisht neni 48, parasheh që mediat t’u japin mundësi të njëjta të gjitha subjekteve politike.

“Të gjitha mediat sigurojnë se të gjitha subjektet politike të certifikuara përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme në emisionet gjatë fushatës së zgjedhjeve, dhe të gjitha mediat transmetuese u sigurojnë të gjitha subjekteve politike të certifikuara qasje të drejtë dhe të paanshme në programet me diskutime politike dhe debate”, thuhet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Ndërsa, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka nxjerrë rregulloren që i obligon mediat radio-televizive që të publikojnë çmimin dhe hapësirat e përcaktuara për reklama, si dhe të mbushin ditarët e përmbajtjes së fushatës.

Bazuar në të dhënat e raporteve financiare të paaudituara të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e kaluara, partitë politike shfrytëzuan më shumë rrjetet sociale dhe mediat online për të përhapur mesazhet e fushatës, e më pak ato tradicionale. Derisa, KPM-ja ndjek zbatimin e mundësive të njëjta në radio dhe televizione, sfera online është e pamonitoruar.

Megjithatë, Këshilli i Mediave të Shkruara, më 2025 ka nxjerrë udhëzuesin për  mbulimin e fushatës, ku u bën thirrje mediave që materialet e sponsorizuara dhe reklamat politike t’i dallojnë qartazi nga përmbajtja editoriale si dhe të tregohet burimi i sponsorizimit.

“Fushata duhet të mbulohet në mënyrë të drejtë dhe të balancuar”, thuhet në Udhëzuesin për Media për Raportimin Etik për Zgjedhjet.