Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka folur për “SportMediaset” në prag të ndeshjes me Lazion në Kupën e Italisë, ndërsa e ka përmendur edhe mesfushorin Ardon Jashari.
Jashari së fundmi ka qenë i lënduar dhe nuk ka luajtur prej 23 gushtit. Ai u lëndua në stërvitje, por të enjten nga ora 21:00 mund të luajë në “Olimpico” ndaj Lazios.
Mesfushori 23-vjeçar që përfaqëson Zvicrën, u transferua në verë nga Club Brugge për 36 milionë euro.
“Më shumë se që t’i shohë kualitetet e Jasharit, do të jetë shans për ta parë gjendjen e tij fizike. Kur u transferua ka qenë jashtë fushës për një muaj e gjysmë. Ka luajtur 45 minuta dhe më pas mungoi dy muaj. Jam kureshtar ta shoh nivelin e tij fizik”, ka deklaruar Allegri të mërkurën.
Në edicionin e kaluar Jashari fitoi disa çmime individuale në Belgjikë dhe ishte prej më të mirëve te Club Brugge dhe në gjithë kampionatin elitar belg.