Shumë njerëz mbetën të habitur kur Real Madridi ia pagoi Liverpoolit plot 8,4 milionë funte për Trent Alexander-Arnoldin, ndërkohë që mund ta merrte falas lojtarin vetëm një muaj më pas.
Te skuadra që tani drejtohet nga Xabi Alonso, ishin të vendosur të angazhojnë me kohë mbrojtësin e krahut të djathtë, që ai të ishte në dispozicion për Kupën e Botës për Klube. Madrilenët zgjodhën të paguajnë tarifë dëmshpërblimi për ta liruar 26-vjeçarin një muaj para se t’i përfundonte kontrata me Liverpoolin.
Sigurisht që ishte një bonus për Liverpoolin, që dukej sikur po e humbte lojtarin e vlefshëm pa fituar asgjë në këmbim.
Por veprimi i Real Madridit për ta angazhuar yllin anglez doli plotësisht i qëlluar. Ai tregoi se sa i vlefshëm është në ditën kur do të realizohej transferimi nga Liverpooli, sikur të mos paguhej dëmshpërblimi.
Alexander-Arnold ishte startues në çdo ndeshje të Real Madridit në Kupën e Botës për Klube në SHBA. Ai bëri asistimin e parë të martën mbrëma, ndërsa 21-vjeçari Gonzalo Garcia shënoi me kokë për fitoren 1:0 të Madridit ndaj Juventusit. Ndeshja në Miami Gardens u zhvillua para 62 mijë shikuesve dhe i takoi një të tetës së finales në Botërorin e Klubeve.
Goli, përkatësisht kualifikimi, ia siguroi Real Madridit 10 milionë funte shtesë. Klubi mbretëror spanjoll tashmë i kishte të sigurta 43 milionë funte për arritje në një të tetën e finales.
Madridi në çerekfinale do të përballet me Borussia Dortmundin, ndërsa mund të fitojë deri në 125 milionë funte nga Botërori i Klubeve në SHBA.
“Sigurisht që ia vleu që u paguan para shtesë”, tha ish-mbrojtësi i Francës, Gael Glichy për DAZN.
“Nuk ke kohë në futboll, por kjo garë i dha Real Madridit dhe Trentit kohë shtesë. Kjo i ka lejuar Trentit të mësohet me Real Madridin. Ai duhet të jetë i entuziazmuar për atë që do të vijë, njëjtë si Real Madridi”.
Ishte hera e dytë që Alonso përdori formacionin e preferuar, 5-3-2/3-5-2, qëkur e zëvendësoi Carlo Ancelottin si trajner i Madridit. Dhe ardhjet e reja në skuadër, duke përfshirë Alexander-Arnoldin, duket se po përshtaten në sistemin e ri.
Alexander-Arnold, që bëri përshtypje që në prezantim duke folur në gjuhën spanjolle, ka kompletuar dy paraqitjet e fundit. Dhe vetëbesimi i tij po rritet me çdo ndeshje të luajtur. Ai pati fillim të vështirë. Në ndeshjen ndaj Al-Hilalit e fitoi vetëm një nga pesë duelet. Dukej i cenueshëm edhe në disa raste në ndeshjen e dytë ndaj Pachucas. Por në fitoren 3:0 ndaj Salzburgut, që ishte paraqitja e tij e parë në pozicionin e mbrojtësit të krahut, Alexander-Arnold ishte i përfshirë në golin e tretë. Dhe ndaj Juventusit shpagoi besimin e Alonsos me asistimin e parë.
“Ishte një pasim fantastik nga Trent”, tha ish-mesfushori i Chelseat, John Obi Mikel. “E dimë që ai mund të bëjë këtë, ndonëse ka ende çështje në aspektin defanziv. E dimë që i duhet kohë”.
Ylli i dikurshëm holandez, Edgar Davis, ka thënë se Alexander-Arnold është zgjedhje e mirë për Real Madridin dhe se ai do të përmirësohet.
Në aspektin ofanziv anglezi u dëshmua menjëherë. Por mbeten disa pyetje lidhur me punën e tij mbrojtëse.
Alexander-Arnold e përfundoi ndeshjen me tetë krosime, më shumë se çdo lojtar tjetër i Madridit.
“Ai ka mundur të bëjë më shumë asistime deri më tani”, ka thënë portieri i Madridit, Thibaut Courtois. “Është e tmerrshme të luash në stërvitje kundër tij. Goditjet e tij nga këndi janë të një niveli tjetër. Nuk mendoj se kam parë një lojtar me këto kualitete. Për mua si portier është makth, por do të më ndihmojë të përmirësohem”, ka shtuar Courtois derisa ka folur për Alexander-Arnoldin.
Natyrisht anglezit i duhet ende kohë për përshtatje të plotë në Madrid. Duhet të mësohet me sistemin, me bashkëlojtarët e rinj, mënyrën e re të lojës. Por i ka dhënë sinjalet për atë që e angazhoi Madridi.