Futboll

Abedini: Fokusi i Kosovës te ndeshjet e plejofit

Eris Abedini

Mesfushori Eris Abedini mendon se fokusi i Përfaqësueses së Kosovës do të jetë te ndeshjet e plejofit. 

Kosova sonte nga ora 20:45 e pret Zvicrën në ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin 2026. Me fitore 6:0 ndaj Zvicrës, Kosova do të kualifikohej direkt në Kupën e Botës 2026. Por kjo është pak e realizueshme, sipas Abedinit.

Abedini luan për skuadrën Xamax që bënë gara në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. Ai është edhe kapiten e skuadrës Xamax.

“Çdo gjë mund të ndodhë në futboll, por duhet të jemi realistë, të fitosh me gjashtë gola kundër një kundërshtari si Zvicra është pothuajse e pamundur. Në fakt, mendoj se fokusi i ekipit tonë kombëtar është tashmë në mars, kur do të kemi mundësinë të shkruajmë një faqe tjetër në histori pasi të arrijmë në fazën eliminatore”, u shpreh ish-lojtari i Ballkanit për “RSI”.

Kosova tashmë e ka siguruar kualifikimin për në plejofin e Kupës së Botës. 

“Dardanët” kanë dhjetë pikë në pozitën e dytë në Grupin B. Zvicra ka tri pikë më shumë në vendin e parë.

27-vjeçari Abedini e ka një ndeshje të luajtur me Kosovën. Më 16 nëntor të vitit 2022 luajti në miqësoren 2:2 të Kosovës ndaj Armenisë. Ishte kapiten i Kosovës U21.