Për kohë të gjatë formacioni startues i Kosovës nuk është menduar pa Milot Rashicën pjesë të tij. Ndryshe ishte në kualifikimet e rregullta për Kupën e Botës 2026. Rashica luajti pak edhe për shkak të ndryshimit të sistemit nga selektori Franco Foda.
Por mbetja anash e 29-vjeçarit duket se ka të bëjë edhe me formën e tij. Rashica e ka humbur vendin e startuesit edhe te skuadra e madhe turke, Beshiktash. Në fitoren 2:0 në fundjavë ndaj Karagumrukut, Rashica u aktivizua vetëm në minutën e 87-të. Hyri kur ndeshja thuajse kishte përfunduar. Më 23 dhjetor, në barazimin 1:1 me Samsunsorin, Rashica luajti prej minutës së 70-të.
Së fundi ka startuar më 22 tetor, në fitoren 2:0 ndaj Konyasporit. Këtë edicion i ka 11 paraqitje në Superligën e Turqisë, ndërsa është në pritje të golit të parë. Ka një asistim. Në klube si Beshiktashi konkurrenca për vend në përbërjen bazë është gjithnjë e ashpër. Por Rashica tani po përballet me konkurrencë edhe te Kosova.
Me Beshiktashin sulmuesi i krahut ka kontratë deri në verën e vitit 2027. Gjatë verës ka pasur raportime të shumta për largimin e tij. Dhe një lëvizje në afatin e janarit, e më së largu në verën e ardhshme, po bëhet gjithnjë e më e mundshme. Situata aktuale në skuadër nuk i jep shumë shpresë Rashicës për kthim në formacionin bazë të Kosovës.
Situata te Kosova po rëndohet edhe për Albion Rrahmanin. Në shtator e tetor ai luajti me shumë për përfaqësuese, por në nëntor mbeti në hije të Vedat Muriqit e Fisnik Asllanit. Por me ritmin aktual, Rrahmanit mund t’i rrezikohet edhe “pozita” e sulmuesit të tretë. Muriqi e Asllani pos që luajnë në nivel superior në krahasim me Rrahmanin, janë edhe dukshëm më të rëndësishëm për skuadrat e tyre, Mallorcan e La Ligas dhe Hoffenheimin e Bundesligës. Rrahmani luan në Çeki për Sparta Pragën. Kampionati çek nuk krahasohet me La Ligan spanjolle dhe Bundesligën gjermane. Qëndron goxha prapa edhe në krahasim me Superligën turke.
Dhe 25-vjeçari Rrahmani po ka telashe me shënimin e golave në Çeki. Kampionatin e nisi mbarë, por së fundi ka shënuar më 5 tetor. Prej atëherë i ka 13 paraqitje, por pa gol të shënuar.
Në 17 paraqitje kampionale, Rrahmani ka gjashtë gola e një asistim. Bilanc jo i keq dhe jo në përputhje me ecurinë aktuale, që nuk e favorizon Rrahmanin në garën e rreptë për pozitë te Kosova.

Në moment jo të mirë është edhe Valon Berisha. Dhe ai po lëviz ngadalë drejt “zonës” ku vetëm ftesa në përfaqësuese është sukses. Berisha tashmë ka mbetur rezervist te Kosova, kurse po luan pak edhe për LASK-un në kampionatin solid të Austrisë. Në dy ndeshjet e fundit nuk ishte fare i grumbulluar. Në gjashtë ndeshjet e fundit ka vetëm dy paraqitje si zëvendësues. Këtë edicion 32-vjeçari i ka dhjetë paraqitje kampionale. Nuk ka gola e asistime.
Edon Zhegrova po ashtu ka mungesë minutash, madje mungesë të theksuar, por ai megjithatë është te Juventusi. Dhe pasi të jetë gati, Zhegrova pritet të jetë kandidat i fortë për vend në formacionin startues.
Për të tjerë si Baton Zabërgja, Muharrem Jashari e Ilir Krasniqi, problem mund të jetë liga ku paraqiten aktualisht, ajo e Ukrainës. Liga ukrainase ka pësuar rënie të konsiderueshme që kur nisi pushtimi rus i këtij vendi.
Derisa për një pjesë të lojtarëve aktualë është sfidë mbajtja e vendit në përfaqësuese, lojtarë të rinj e cilësorë po trokasin në “dyert” e Kosovës. Përmirësimi i rezultateve të përfaqësueses do të shërbejë edhe për rritjen e madhe të konkurrencës për vend në ekip. Javët e muajt e ardhshëm, deri në mars 2026, mund ta ndërrojnë jo pak fytyrën e përfaqësueses.