Kosova i ka përfunduar dy ndeshjet me Suedinë, të vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2026. Por në mënyrë indirekte, përfaqësuesja e Kosovës në futboll mund të përfitojë nga ndryshimi i selektorit të Suedisë.
Të hënën Federata e Futbollit e Suedisë e zyrtarizoi anglezin Graham Potter në postin e selektorit. Ai e zëvendëson danezin Jon Dahl Tomasson, që u shkarkua pas humbjes së javës së kaluar nga Kosova.
Potter do të debutojë në krye të Suedisë më 15 nëntor ndaj Zvicrës në Gjenevë. Ndeshja i takon Grupit B të kualifikimeve. Tekniku anglez, natyrisht, do të synojë të ketë debutim të suksesshëm. Dhe nëse e arrin këtë, do t’i bëjë favor Kosovës. Po më 15 nëntor, Kosova luan në udhëtim ndaj Sllovenisë. Varësisht nga rezultatet, Kosova mund të mbetet fuqishëm në garë për vendin e parë në grup dhe kështu për kualifikim direkt në Botëror.
Dy xhiro para fundit, Zvicra udhëheq në grup me 10 pikë. Kosova i ka shtatë në vendin e dytë, ndërsa pasojnë Sllovenia me tri dhe Suedia me një. Vendi i parë siguron biletën e Botërorit, ndërsa i dyti dërgon në plejof.
Më 18 nëntor janë ndeshjet Kosova – Zvicra dhe Suedia – Sllovenia. Varësisht nga rezultatet e ndeshjeve të 15 nëntorit, ndeshja Kosovë – Zvicër mund të jetë vendimtare për vendin e parë në grup, vendimtare për Kosovën për ta siguruar plejofin, apo edhe pa ndonjë vlerë të madhe.
Shumë do të varet nga rezultati i ndeshjes Zvicër – Suedi dhe në favor të Kosovës do të ishte debutimi me fitore i Potterit.
Federata e Futbollit e Suedisë ka shkruar se synimi me Potterin është krijimi i gjendjes optimale për ta siguruar Botërorin. Suedia pritet të paraqitet në plejof si fituese e grupit në Ligën e Konferencës.
Marrëveshja me Potterin është e vlefshme për ndeshjet e nëntorit, për plejofin potencial në mars dhe do të vazhdohet edhe për Botërorin në SHBA, Meksikë e Kanada, nëse Suedia kualifikohet.
Anglezi Potter ka thënë se është shumë i frymëzuar për punën e re. 50-vjeçari u shkarkua nga posti i trajnerit të West Hamit më 27 shtator. Këtë skuadër e drejtoi nga fillimi i vitit. Më së shumti është i njohur për periudhën në krye të Chelseat, nga 8 shtator 2022 deri më 2 prill 2023. Ka drejtuar edhe Brightonin dhe Swansea Cityn, ndërsa në Suedi punoi tek Ostersundi nga viti 2011 deri në vitin 2018.
“Suedia ka lojtarë fantastikë që shfaqen në ligat më të mira në botë gjatë javëve. Puna ime është të krijoj kushtet që si ekip të luajmë në nivelin më të lartë, që ta dërgojmë Suedinë në Botëror në verën e ardhshme”, ka thënë Potter.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Suedisë, Simon Astrom, ka thënë se synimi ende është që Suedia të kualifikohet në Botëror.
“Shpresat tona janë që të luajmë në plejof në mars dhe të gjitha vendimet që morëm kanë të bëjnë me krijimin e kushteve optimale për të arritur synimin. Me Graham Potterin kemi një lider të fortë dhe me përvojë, që është testuar në nivelin absolutisht më të lartë”, ka thënë Astrom.
Suedia ka në përbërje yje të Premier Leagues, si Alexander Isak e Viktor Gyokeres, si dhe plot lojtarë të tjerë që paraqiten në nivelin më të lartë. Kampanjën kualifikuese suedezët e nisën me barazimin 2:2 me Slloveninë në Lubjanë. Më 8 shtator, Kosova fitoi 2:0 ndaj Suedisë, në “Fadil Vokrri”. Më 10 tetor Suedia humbi në shtëpi, 2:0, nga Zvicra. Ndërkohë goditjen fatale Suedisë dhe Tomassonit ua dha Kosova me fitoren 1:0 më 13 tetor, në Goteborg.
Tani pritet reagimi i suedezëve me selektorin e ri. Nëse reagimi është pozitiv, prej tij do të përfitojë edhe Kosova.