Në finalen plot polemika të Kupës së Afrikës, përpjekja e Brahim Diazit për të sjellë pak qetësi vetëm sa rriti kaosin.
Rreth 17 minuta kaluan prej momentit kur për Marokun u dha penallti deri te momenti kur Diazi gjuajti nga pika e bardhë. Sulmuesi i Real Madridit u nis ngadalë drejt topit. Goditi lehtë, në formë “parabole”, por portieri i Senegalit, Edouard Mendy nuk lëvizi dhe e kapi lehtësisht topin. Kështu ndeshja shkoi në vazhdime, kurse Senegali më pas doli fitues i finales.
Ishte një moment i tmerrshëm për Diazin, i cili dukej i shqetësuar kur iu dorëzua “Këpuca e Artë” si golashënuesi më i mirë i Kupës së Kombeve të Afrikës.
Nuk është hera e parë që një goditje e njohur si “Panenka” shkoi keq në javët e fundit. Enzo le Fee i Sunderlandit bëri përpjekje të njëjtë, ndërsa topin e ndali lehtësisht Caoimhin Kelleher i Brentfordit.
Goditjet e tilla duken tmerrësisht keq kur nuk përfundojnë në rrjete. Por a është goditja në mes të portës zgjedhja më e keqe për një gjuajtës të penalltive?
Prejardhja e goditjes “Panenka”?
“Panenka” e mori emrin nga Antonin Panenka, i cili gjuajti në mes të portës, me topin që shkoi ngadalë drejt rrjetës, për t’ia siguruar Çekosllovakisë titullin e Evropës në vitin 1976.
Ndeshja kundër kampiones së atëhershme, Gjermanisë Perëndimore, kishte përfunduar 2:2 pas kohës shtesë. Dhe penalltitë vendosën fituesin.
Kur Uli Hoeness e dërgoi topin mbi traversë, mesfushori çek, Panenka, pati mundësinë të vendoste fituesin.
Pas një vrapimi të shpejtë, Panenka dërgoi një gjuajtje të ndieshme, në mes të portës, dhe hutoi portierin Sepp Maier. Dhe kështu siguroi trofeun për Çekosllovakinë.
Nuk ishte hera e parë që Panenka bënte goditje të tillë. Në të njëjtën mënyrë kishte shënuar për skuadrën e tij, Bohemians, ndaj rivales, Dukla Praga, një muaj më herët.
Megjithatë, goditja që solli titullin e Evropës, solli teknikën në sytë e audiencës botërore dhe kështu lindi “Panenka” e famshme.
Goditje psikologjike
Kanë kaluar 40 vjet nga “Panenka” e parë, ndërsa kjo lloj goditje është bërë gjithnjë e më e përhapur.
Lojtarë të njohur si Lionel Messi, Thierry Henry dhe Francesco Totti, kanë gjuajtur me sukses në këtë mënyrë nga pika e bardhë.
Legjenda e Francës, Zinedine Zidane, njihet si lojtari që vendosi për “Panenka” në momentin më të rëndësishëm – në finale të Kupës së Botës 2006. Topi goditi fillimisht pjesën e poshtme të traversës dhe mezi kaloi vijën pasi ra në fushë.
Anglia është goditur me “Panenka” disa herë. Ndër të tjera Andrea Pirlo i Italisë e mposhti Joe Hartin në çerekfinale të Euro 2012.
“Për mua, Hart dukej shumë i sigurt”, tha Pirlo. “Duhej të bëja diçka për ta mposhtur. Penalltitë janë një gjë shumë personale, por kur e pashë të lëvizte vendosa ta bëj këtë. Dukej që ishte një shtytje psikologjike për ne”.
Ndonëse shumë “Panenka” përfundojnë në cak, Diaz nuk është i pari që dështon me një tentim të tillë në një ndeshje të profilit të lartë.
Në vitin 1992, Gary Lineker pati mundësinë të barazonte 59 golat e Bobby Charltonit për Anglinë, në një miqësore kundër Brazilit. Por dështoi me “Panenka” dhe përfundoi një gol larg rekordit të atëhershëm.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, provoi me “Panenka” në vitin 2021. Por Chelsea fitoi 2:1 pas pritjes së penalltisë së Agueros pikërisht nga Edouard Mendy.
Nuk ka dyshime që kur lojtar nuk shënon me “Panenka” kritikat janë më të mëdha se kur gjuan në njërin kënd dhe portieri ndal topin.
Por çka thonë statistikat?
84 për qind e penalltive të gjuajtura në mes të portës në Kampionate Botërore e Evropiane, përfundojnë në rrjetë. Për bazë u morën Botërorët nga viti 1966 dhe Evropiani nga viti 1988. Pos “Panenka”, në mes të portës bëhen edhe goditje të fuqishme.
78 për qind të goditjeve në të majtë përfundojnë në rrjetë dhe 74 për qind të gjuajtjeve në krahun e djathtë.
Në Kupën e Afrikës gjashtë nga tetë gjuajtjet e penalltive në mes të portës shkuan në cak. Për gjuajtjet majtas përqindja është 67, ndërsa për ato djathtas 69 për qind.
Sa më vonë në ndeshje, gjasat për “Panenka” të suksesshme janë më të mëdha. Për këtë Diaz mund të ketë menduar se Mendy do të hidhej në njërin krah. Por Mendy vuri re se Diaz do të provonte diçka ndryshe dhe qëndroi në mes të portës. Bëri pritje që do të mbetet në histori.