Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

22 vjet pritje, si e festoi Arsenali titullin e fituar

festa e arsenalit

Tifozët e Arsenalit kanë pritur shumë, shumë gjatë për të festuar sërish titullin e kampionit të Premier Leagues. Kështu që ata u siguruan që e marta të ishte natë e veçantë.

Tifozët ishin mbledhur jashtë stadiumit Emirates dhe në baret pranë, ndërsa rivali, Manchester City, luante kundër Bournemouthit. Cityt i duhej fitorja për të mbetur në garë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fund, skuadra e Pep Guardiolas mori vetëm barazim, duke konfirmuar Arsenalin kampion për herë të parë pas 22 vjetësh.

Ndërsa fishkëllima e përfundimit të ndeshjes u dëgjua në bregun jugor, pati shpërthim brohoritjesh në baret në gjithë Londrën veriore. Tifozët e Arsenalit festuan momentin, që pas disa dështimeve rresht, menduan se nuk do të vinte kurrë.

Kishte festë edhe në qendrën stërvitore të “topçinjve”. Atje ishte mbledhur skuadra e Arsenalit që e priti në festë fishkëlimin e fundit të ndeshjes së Cityt. Lojtarët dhe stafi kërcyen dhe u përqafuan, ndërsa brohorisnin: “Campeones, Campeones, Ole Ole Ole”.

Muajin e kaluar, kapiteni i Arsenalit, Declan Rice, insistoi se “asgjë nuk ka përfunduar”, pasi skuadra humbi nga Manchester City. Të martën, pasi gara u vendos, Rice postoi një fotografi të lojtarëve që festonin me mbishkrimin: “Përfundoi”.

Triumfi erdhi në vitin e shtatë të Mikel Artetas në krye të ekipit dhe tregoi se çka mund të arrihet nëse një trajneri i jepet kohë.

“Arteta ishte aty për periudhë të gjatë. Dhurata më e mirë që mund t’i bësh një trajneri të mirë është koha”, ka thënë ish-portieri, Paul Robinson për BBC.

“Mund t’i japësh qindra miliona funte. Por duhet t’i shndërrosh ato para në ekip, në zhveshtore, në skuadër fituese. I jep kohë një trajneri të mirë? Ja ku është dëshmia”.No description available.

Ëndrra për trofeun evropian

Kur Arsenali e përfundoi pa humbje edicionin për ta fituar trofeun e Premier Leagues në vitin 2004, tifozët e kësaj skuadre nuk kanë besuar se duhet të presin gati çerek shekulli për titull tjetër.

Ka pasur shumë komente për pritjen e gjatë, madje edhe shaka, por shumë po shikojnë drejt të ardhmes. Dhe ëndrra për dopietë është gjallë, ndërsa Arsenali përballet me PSG-në më 30 maj në finale të Ligës së Kampionëve. Tifozët e Arsenalit besojnë se momenti është i skuadrës së tyre dhe ai do të shfrytëzohet në finalen evropiane.

Urimet për titullin e kampionit ishin të shumta. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, që është tifoz i Arsenalit, shkroi: “22 vite të gjata për Arsenalin. Por, më në fund, jemi kthyer aty ku e kemi vendin. Kampionë”.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, shkroi: “Urime Arsenalit – klubit të parë londinez që fiton ligën pothuajse në një dekadë dhe pas pritjes 22-vjeçare”.

Legjenda e Formula 1, Lewis Hamilton, po ashtu uroi për suksesin.

Urimi i Guardiolas

Ndërsa pa shpresat e ekipit të tij për titull të përfundonin në Bournemouth, trajneri i Cityt, Pep Guardiola, bëri urimin për Arsenalin.

“Ishim afër”, tha Guardiola, që pritet të largohet nga skuadra e Cityt në fund të këtij edicioni.

“Në emër të të gjithëve në Manchester City, ne e përgëzojmë Mikel Artetan dhe të gjithë stafin, lojtarët dhe tifozët për fitimin e Premier Leagues. Ata e meritojnë”.

No description available.