Llapi ka mbetur në elitën e futbollit kosovar.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina e fitoi ndeshjen e barazhit ndaj Vushtrrisë, vetëm pas ekzekutimit të penalltive 1:4.
Loja e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën pa gola, ndonëse rastet ishin të shumta nga të dyja skuadrat.
Qendërmbrojtësi Muhamed e shënoi penalltinë vendimtare për skuadrën e Llapit.
Për Llapin penalltitë i shënuan Arbnor Ramadani, Arianit Hasani, Benjamin Emini dhe Useini.
Merita për fitoren e Llapit pati edhe portieri kroat, Marijan Çoriq.
Ai e priti penalltinë e parë të sulmuesit të Vushtrrisë, Urim Statovci, që hyri në lojë si zëvendësues.
Ndërkohë, mesfushori Besar Iseni gjuajti mbi portë.
Të vetmen penallti për vushtrriasit e shënoi Viktor Angelov.
Vushtrrisë i takoi pjesa e parë e ndeshjes në kohën e rregullt, ndërsa Llapi dominoi në pjesën e dytë. Madje e pati edhe një shtyllë të qëlluar me Hasanin.
Pavarësisht rasteve në kohën e rregullt dhe vazhdime, gola nuk u shënuan.
Vushtrria nga minuta e 100-të luajti me një futbollist më pak në fushë.
Futbollisti i krahut dhe kapiteni Daut Maxhuni, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Ndeshja e barazhit ishte edhe përmbyllëse për sezonin 2024-25.
Llapi në elitën e futbollit kosovar ishte kthyer në edicionin 2015-16, kurse Vushtrria për herë të fundit në Superligë ka luajtur në vitin 2020.
Fituesi i barazhit vendoset në penallti
Kanë mbaruar vazhdimet dy herë nga 15 minuta në ndeshjen e barazhit mes Vushtrrisë dhe Llapit.
Raste patën të dyja skuadrat, por rrjetat mbeten të paprekura.
Penalltitë do të jenë vendimtare.
Cilado skuadër që triumfon, në edicionin tjetër do të luajë në Superligë.
Vushtrria mbetet me një futbollist më pak në fushë
Skuadra e Vushtrrisë ka mbetur me një futbollist më pak në fushë pasi Daut Maxhuni është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 100-të.
Aktualisht rezultati ndërmjet Vushtrrisë dhe Llapit është 0:0.
Në minutat shtesë të vazhdimit të parë, Urim Statovci i Vushtrrisë lëshon rast te artë pas gjuajtjes me kokë, ndonëse ishte i vetëm në zonë. Tentimin e tij e priti portieri Çoriq.
Një minutë më vonë, mbrojtësi Ilir Blakçori i Llapit me kokë gjuajti jashtë.
Vazhdime në ndeshjen e barazhit
Në ndeshjen e barazhit ndërmjet Vushtrrisë dhe Llapit, vazhdimet do ta përcaktojnë skuadrën që në edicionin tjetër do të luajë në Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë i takoi Vushtrrisë që pati disa mundësi të mira, ndërsa pjesën e dytë e dominoi Llapi.
Te Vushtrria mundësinë më të mirë në pjesën e parë e pati Bujar Shabani që në pozitë të mirë përballë portierit Marijan Çoriq, gjuajti mbi portë.
Për Llapin në disa raste rrezikuan Elvir Gashijani e Arianit Hasani.
Hasani madje e qëlloi shtyllën në minutën e 68-të pas gjuajtjes me kokë.
Hasani në minutën e 90-të e kishte rastin e mirë për shënim, por ka qenë portieri Arlis Shala i Vushtrrisë që nuk ka lejuar të mposhtet.
Shala, shpëtimtar i Vushtrrisë
Portieri Arlis Shala ka bërë pritje të jashtëzakonshme pas gjuajtjes së Arianit Hasanit.
Hasani me të majtën gjuajti fuqishëm por ka qenë Shala që është zgjatur fort dhe e ka devijuar topin në këndore.
Ndodhi kjo në minutën e 90-të.
Llapi qëllon shtyllën, Vushtrria humb tjetër rast të mirë
Llapi ka vazhduar paraqitjen e mirë në momentet e fundit të ndeshjes.
Deri në përfundim të lojës së rregullt kanë mbetur edhe 20 minuta.
Në minutën e 68-të, Llapi e qëlloi shtyllën me Arianit Hasanin. Hasani gjuajti me kokë nga zona.
Në aksionin vijues, përkatësisht në minutën e 69-të, Florent Hajdari i Vushtrrisë ishte në pozitë të mirë për të gjuajtur. Por, goditja e tij me të majtën ishte e plogësht.
Llapi regjistron rastin e parë serioz
Llapi i Tahir Batatinës është shfaqur rrezikshëm ndaj Vushtrrisë pas një ore lojë.
Elvir Gashijani në minutën e 60-të e pati mundësinë më të mirë për shënim.
Ai gjuajti fuqishëm drejt portës, por ka qenë portieri Arlis Shala që e priti për mrekulli tentimin e tij.
Mbyllet pa gola pjesa e parë ndërmjet Vushtrrisë dhe Llapit
Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e ndeshjes së barazhit ndërmjet Vushtrrisë dhe Llapit.
Vushtrria ka pasur raste më të mira.
Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
20 minuta lojë, Vushtrria po dominon
Ka kaluar minuta e 20-të e ndeshjes së barazhit ndërmjet Vushtrrisë dhe Llapit.
Vushtrria ka pasur disa raste shumë të mira për gol por nuk arriti t’i konkretizonte. Rezultati mbetet 0:0.
Fituesi i ndeshjes do të jetë pjesë e Superligës sezonin e ardhshëm.
Ndeshja po luhet në "Fadil Vokrri".