Ai ka 1378 paraqitje në nivelin e të rriturve, ka debutuar në vitin 1997 dhe është lojtari më i vjetër në Kupën e Botës për Klube.
Portieri brazilian i Fluminenses, Fabio Deivson Lopes Macila, ka tashmë karrierë impresive dhe nuk po tregon shenja të ndaljes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo44-vjeçari shkëlqeu të hënën në fitoren 2:0 të Fluminenses ndaj Interit në një të tetën e finales në Botërorin e Klubeve. E ndihmoi ekipin brazilian të kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube, ku do të përballet me Al-Hilalin.
Fabio bëri katër pritje, duke përfshirë një vendimtare me këmbë, ndërsa fituesja e Copa Libertadores 2023 tronditi nënkampionin e Ligës së Kampionëve të UEFA-s.
Fabio bën që 40-vjeçari Thiago Silva të duket i ri, ndërsa të dy u tallën me moshën e tyre në ndeshjen e luajtur në temperaturë prej 33 gradë Celsius.
Vetëm katër ditë më parë Fabio bëri histori duke e mbajtur portën të paprekur në ndeshjen e 507-të. E kaloi Gianluigi Buffonin. Tani braziliani ka 508 ndeshje pa gol të pësuar.
Fabio tani synon një tjetër rekord mbresëlënës – atë për më së shumti paraqitje në futbollin Botëror.
Sipas Librit të Rekordeve të Guinnessit, ish-portieri i Anglisë, Peter Shilton, mban rekordin me 1390 paraqitje. Vetë Shiltoni pretendon se i ka luajtur 1387 ndeshje.
Por nuk është plotësisht i qartë rekordi që Fabio tani e synon.
Shiltoni ka të evidentuara 1249 ndeshje në karrierën me klube dhe rekord prej 125 ndeshjesh me Anglinë. Kjo do të thotë se ai i ka 1374 paraqitje.
Pra, pse Fabio nuk është tashmë rekordmen? Ai ka luajtur gjithë karrierën e tij në Brazil dhe nuk është paraqitur asnjëherë për përfaqësuesen ndonëse e fitoi Botërorin U19 në vitin 1997.
Sipas “England Football Online”, Shiltoni i ka 13 paraqitje për Anglinë U23 dhe kjo e dërgon shifrën në 1387 ndeshje, të cilat portieri legjendar pretendon se i ka.
Ka vlerësime të ndryshme nëse paraqitjet për ekipin U23 duhet të llogariten si paraqitje për të rriturit. Por Fabio kërkon të heq dilemat duke e kaluar shifrën e ndeshjeve të Shiltonit.
Është çështje kohe para se ta kalojë shifrën e 1387 ndeshjeve apo 1390 ndeshjeve. Ai mbush 45 vjet në shtator, por ka nënshkruar kontratë të re në maj, të vlefshme deri në fund të vitit 2026. Dhe duket thuajse e sigurt se rekordi do të jetë i tij.
Sa do të qëndrojë rekordi, është pyetje tjetër.
40-vjeçari Cristiano Ronaldo është paraqitur në 1281 ndeshje për skuadra dhe për Portugalinë, në nivelin e të rriturve. Sulmuesi i Al-Nassr është vetëm 62 gola larg shifrës prej 1000 golave në karrierë. Ronaldo së fundi nënshkroi kontratë të re dhe padyshim do të ndjekë edhe rekordin e Shiltonit dhe potencialisht të Fabios.
Fabio e ka arritur shifrën e mahnitshme të ndeshjeve duke luajtur për skuadrat braziliane si Uniao Bandeirante, Atletico Paranaense, Vasco de Gama, Cruseiro dhe Fluminense. Te Fluminense është prej vitit 2022.