Një instalacion skulpturor brenda të cilit vizitorët do të thellohen në punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës, është ajo që do ta ofrojë Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Ndërkombëtare të Artit në Venecia. “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” do të zërë vend në Muzeun Historik të Marinës midis dy hapësirave ekspozuese, Arsenales dhe Giardinit.
Në një konferencë për media të mbajtur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekipi i pavijonit të shtetit ka zbuluar disa detale të përfaqësimit të sivjetmë. Por së pari ka folur politika. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka treguar se procesi i përzgjedhjes së artistëve që përfaqësojnë shtetin do t’i bartet Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Artistja Doruntina Kastrati ka treguar se skulpturat do të jenë baza e asaj që rrëfen Kosova në editonin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, të 60-tin me radhë. Ka sqaruar se orari i gjatë i punës së grave dhe nevoja që ato të vendosin proteza metali në gjunjë qenë pikënisja e konceptimit të instalacionit. Si rast e ka përmendur edhe të ëmën, punonjëse e fabrikës së llokumeve.
Pa u ndalur te detajet për të cilat ka folur Kastrati, kuratorja Erëmirë Krasniqi ka elaboruar konceptin mbi të cilin ndërtohet rrëfimi i Kosovës në Bienalen e sivjetme që ka si temë të përgjithshme “Të Huaj Kudo” me kurator brazilianin Adriano Pedrosa.
Komisionierja e Pavijonit të Kosovës, Hana Halilaj, ka thënë se ndërrimi i lokacionit ekspozues nga hapësira “Arsenale” në Muzeun Historik të Marinës është përshtatur me prezantimin që do të bëhet atje.
Pavijoni i Kosovës do të hapet më 20 prill për të pritur vizitorë e do të jetë i hapur deri më 24 nëntor 2024.