Në Los Angeles u zhvillua premiera botërore e filmit të ardhshëm “Superman”, i cili vjen i bazuar në librat komik “DC”.
Regjisori ikonik, James Gunn, thotë se ky projekt vjen në një kohë kur publiku është i etur për shpresë, diçka që kryepersonazhi i filmit e sjell në ekran të madh.
“Mendoj se ka shumë ligësi që ndodh në botën tonë sot. Doja me të vërtetë të trajtoja një personazh që ishte ndryshe nga shumë prej personazheve me të cilët jam marrë në të kaluarën — dikë që ishte natyrshëm i mirë, që nuk vinte nga një familje jofunksionale, por nga një familje shumë funksionale. Dhe ai është i sjellshëm, gjithmonë kujdeset për ata që kanë nevojë, gjithmonë i del në mbrojtje njerëzve që kanë nevojë, pavarësisht se ku ndodhen në botë, pavarësisht se kush janë ata. Dhe mendoj se kjo është diçka për të cilën shumë prej nesh jemi të etur”, tha Gunn.
“Superman” e ka një prej historive më jetëgjatë dhe fascinuese në fushën e adaptimeve të librave komikë. Regjisori, James Gunn, me filmin e fundit synon ta kthejë superheroin tipik në nivelin e suksesit që vetëm versioni i Christopher Reeve, e ka marrë deri më tani.
Filmi eksploron rrugëtimin e kryepersonazhit Clark Kent, i njohur edhe si Supermen. Ai mundohet të përshtatet me jetën në Smallville, ku jeton bashkë me familjen adoptuese. Gjatë gjithë filmit, Supermeni duhet të përballet me atë që do të thotë të jesh i mirë dhe të kërkosh drejtësi në një botë të ndërlikuar. David Corensëet vjen në rolin kryesor, krahas aktores Rachel Brosnahan e cila e personifikon gazetaren Lois Lane.
Aktori Nathan Fillion tha se filmi vjen në një kohë të përkryer, ndërsa shumë komunitete përballen me fatkeqësi natyrore, luftë, retorikë anti-emigrante dhe kërkojnë shpëtim nga kjo gjendje si dhe një hero.
“Mendoj se të gjithëve do na bënte mirë pak gëzim, pak shpresë dhe pak nga ajo që sjell historia e Supermanit. Ky është Supermani në formën e tij më thelbësore. Ky është mendimi dhe domethënia origjinale prapa këtij superheroi”, deklaroi Fillion.
“Superman” gjithashtu vë në fokus lidhjen romantike mes protagonistëve, Kent dhe Lane. Aktorja e shquar e Hollywoodit, Rachel Brosnahan, deklaroi se ishte një bisedë e shkëmbyer mes saj dhe aktorit, David Corenswet, ajo që e i dha formë personazhit që ajo e luan në film.
“‘Unë i vë në dyshim të gjithë dhe gjithçka, ndërsa ti u beson të gjithëve dhe mendon se të gjithë janë të bukur’. Më pëlqen shumë kjo fjali sepse më duket se flet për këndvështrimet e këtyre dy personazheve që janë krejtësisht të kundërta. Ajo ia thotë këtë Clarkut, dhe më duket sikur ky moment e ndërton personazhin dhe njëkohësisht shërben si një leksion që edhe ajo ka nevojë të mësojë në film”, tha Brosnahan.
Në këtë projekt, Gunn po ashtu e ka angazhuar me një rol të vogël gazetarin, Will Reeve, djali i aktorit të ndjerë Christopher Reeve, i cili në katër filma e ka portretizuar heroin e dashur nga të gjithë, Superman. Para gazetarëve ai u shpreh i nderuar për faktin se trashëgimia e babait të tij vazhdon të qëndroj fuqishëm.
Aktori Nicholas Hoult vjen në rolin e antagonistit, një super-gjeni megaloman i njohur si, Lex Luthor. Pjesë e kastës së aktorëve janë edhe, Skyler Gisondo, Anthony Carrigan, Isabela Merced dhe Edi Gathegi.
“Superman” ka filluar së shfaquri nëpër kinematë e Amerikës nga 11 korriku.