Kur në program bëjnë pjesë disa prej atyre që konsiderohen si perlat e muzikës shqipe, dihet se publiku nuk do të mungojë. Atmosfera festive ndihet ende pa nisur koncerti. Karriget e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë janë të pakta përballë entuziazmit të madh për ta ndjekur programin. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës bashkë me ansamblin “New Born” dhe Oktetin Vokal të angazhuar nga Opera e Kosovës janë bërë bashkë për të shënuar manifestimin qendror të Ditës së Flamurit, njëherësh përvjetorin e 111-të të Pavarësisë së Shqipërisë.
Mbrëmja e së martës e titulluar “Koncert me klasikët shqiptarë” ka nisur me veprën e Rauf Dhomit, “Të falemi o dhe” që vjen si festë, por njëkohësisht edhe një lloj homazhi për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e pavarësinë e shqiptarëve. Me flamurin gjigant në prapavijë skena merr tjetër dimension. E ngjyrat muzikore bashkë me tonet patriotike kanë bërë që publiku, përtej rrugëtimit muzikor nëpërmjet notave, të prekë edhe historinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNën dirigjimin e maestros Edon Ramadani, kur në skenë ka dalë sopranoja Zana Abazi-Ramadani, është hapur një tjetër etapë e koncertit. Kënga tradicionale “Asaman” qe veç një intro e saj për publikun bashkë me atë “O moj bukuroshe”. Më pas ka qenë radha e “Dashnor t’u bana” me kompozim të Shime Deshpalit. Loja vokale e Abazi-Ramadanit e përcjellë nga Orkestra Harkore ka sjellë tjetër frymë në sallën e vobektë.
Më pas sopranoja ka kaluar te tonet më patriotike që gërmojnë nëpër historinë e shqiptarëve. “Mallëngjimi” me kompozim të Rashid Krasniqit ka bërë që publiku të futet në botën e atyre që vuajnë për atdheun dhe këtë e shprehin nëpërmjet muzikës. Për të “thyer” pak këtë rrugëtim muzikor, “E kujtoj atë takim” e kompozuar nga Pranvera Badivuku ka sjellë të tjera emocione. E interpretuar dikur nga këngëtarja ikonë Nexhmije Pagarusha, kjo vepër ka ngjallur ovacione. Kësaj i ka kontribuar edhe interpretimi i hollë i Zana Abazi-Ramadanit.
“Lamtumirë” me Avni Krasniqin në trumbetë dhe Betim Krasniqin në trombon kanë kthyer kompozimin e pavdekshëm të Muharrem Qenës. E kënga labe “Janinës ç’i panë sytë” interpretuar nga Okteti ka hapur kapitullin e muzikës së jugut të Shqipërisë në sallë. Veprat si “Hej ju male” e Çesk Zadesë interpretuar vetëm si kompozim i Çesk Zadesë në trumbetë me Avni Krasniqin e “Baresha” e Rexho Mulliqit me Kaltrina Krasniqin në flaut, Shkumbin Bajraktarin në klarinetë e Gëzim Latifin në violinë, kanë bërë që të mos lihen anash as kompozimet më të njohura të këtyre anëve.
Abazi-Ramadani me “Valsin e lumturisë” të Avni Mulës dhe “Agim shqiptare” të po këtij kompozitori, ka mbyllur koncertin. Me veprat e kompozitorit shqiptar me prejardhje nga Gjakova i ka vënë pikën koncertit që ishte festë më vete.
Dirigjenti Edon Ramadani, i cili bashkë me Valton Beqirin kanë orkestruar veprat e interpretuara, ka thënë se për ta si artistë është e rëndësishme se si është reagimi i publikut.
Zana Abazi-Ramadani ia ka dalë që të mbërthejë të pranishmit në kujtesën e tyre. Bash sikurse e ka përmendur pas koncertit, ka sjellë natyrshëm magjinë e muzikës që shtynë të pranishmit të kujtojnë kohë të vështira. Por njëkohësisht edhe të festojnë për ditë më të mira.