Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Lo Speziale” teston talentin e studentëve

Janë studentë të muzikës që u është dhënë mundësia të jenë pjesë e një projekti operistik. Talentin e tyre në formim e sipër e dëshmojnë në një prej operave të njohura komike, “Lo Speziale” (Farmacisti) të Joseph Haydn. Loja në operën me tri akte me libret të Carlo Goldonit zhvillohet në një farmaci. Historitë e dashurisë janë në qendër. Por vazhdimisht përcillen me situata komike.

Qëllimi i dy të rinjve për të kurorëzuar dashurinë kalon nëpër shumë sfida që para publikut paraqiten më shumë si zbavitje shkaku i situatave komike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Krejt kjo përvojë, studentëve të Universitetit të Prishtinës u është mundësuar nga Opera e Kosovës, që kohëve të fundit ka fokusin te të rinjtë e fëmijët.

Orkestra e Operës së Kosovës, kësaj radhe e përbërë nga studentë, është dirigjuar nga britaniku Chris McCraken. Ai i ka përshkruar instrumentistët si potencial në rritje e sipër.

“Ata janë të mrekullueshëm. Disa prej tyre janë shumë të mirë. Janë yje në rritje e sipër. Mendoj se kjo ishte një mundësi e mirë për ata të luajnë dhe shpresoj që të kenë edhe më shumë mundësi”.

Studentët që kanë marrë rolet operistike janë të klasës së sopranos të profesoreshës Besa Llugiqi. Në sytë e saj kjo përvojë është shumë e vlefshme për ta.

Opera me nën regji të Elikonë Hysaj-Shalës dhe Dardan Selimajt përtej krejt situatave komike përfundon me kurorëzim të dashurisë. E kjo bëhet në rrethana po ashtu komike. Po në teatrin Oda në Prishtinë, opera do të jepet edhe sonte dhe mbrëmjen e së premtes.