EXPRESS

“Kamarja e turpit” me pushtetin që ha koka

Dajret janë dominuese dhe nëpërmjet tyre publiku nis të futet në botën e shfaqjes ende pa nisur ajo. Amfiteatri i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, i improvizuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës, të martën mbrëma është shndërruar në skenë që shpalos një histori të shekullit 17.

Dramatizimi i “Kamarës së turpit” të Ismail Kadaresë nga Doruntina Basha ka bërë që shfaqja, nën regji të Kushtrim Koliqit, të komunikojë fort edhe me zhvillimet vendore, rajonale e ndërkombëtare.

Para publikut vjen historia e vrasjes së Pashait të Janinës. Është një asi pushteti që mbijeton me prerje kokash.

Në shfaqje, përtej politikës, tregohet edhe se si jeton një shoqëri nën diktat perandorak. Ata që çojnë krye e paguajnë me kokë. Për regjisorin Kushtrim Koliqi, koncepti nëpërmjet të cilit është sjellë shfaqja kishte për synim që të prekë disa aktualitete.

Komunikimi i shfaqjes me aktualitetin përjetohet edhe nëpërmjet lojës me teknologji në prapavijë. Dramatizimi ka bërë që vepra e Kadaresë të vihet në skenë me thekse të veçanta. Regjisori Fadil Hysaj e ka lidhur atë edhe me aktualitetin politik në vend.

“Kamarja e turpit” si produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka potencial që të rrijë gjatë në repertor. Është prej atyre shfaqjeve ku secila kategori shoqërore mund ta shohë veten.