EXPRESS

“I këndoj trupit elektrik...” bashkon artistë serbë e shqiptarë

Javë vepra të teknikave e stileve të ndryshme. Shumica prej tyre kanë për personazhe trupat njerëzorë. Me titullin “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” nën kurimin e Vesa Sahatçiut, veprat e mbi 20 artistëve shqiptarë e serbë të Kosovës hapin dimensione të ndryshme për trupin njerëzor. Shkojnë përtej anës fizike duke bërë që publiku të thellohet në dimensione të ndryshme të trupit.

Ekspozita e hapur të mërkurën mbrëma në “Barabar Centre” në Prishtinë, ka mbledhur publikun në një lloj muzeu të artit bashkëkohor. E të pranishmit ngjarjet si kjo i kanë vlerësuar si të domosdoshme.

“Arti është një mjet i fuqishëm për ndryshime shoqëror për të sfiduar stereotipat dhe për të ofruar perspektiva të ndryshme. Arti është urë midis kulturave, është gjuhë e përbashkët për t’u thelluar në format e kushtet njerëzore”, deklaroi Barrie Lynne, zëvendësshefe e UNMIK-ut.

Tolerancë e bashkëpunim midis komuniteteve janë disa prej veçorive që në këtë ekspozitë i ka përshkruar i ngarkuari me punë në Ambasadën e Zvicrës, Christoph Fuchs.

“Kjo ekspozitë synon të rrisë besimin midis komuniteteve dhe targeton publikun në përgjithësi duke ofruar një narrativë për tolerancë dhe bashkëpunim. Si mbështetës të këtij projekti shohim edhe një tjetër komponent: është një ngjarje që ndërton të përbashkëtat e komuniteteve të ndryshme”.

Si ngjarje që promovon mundësi për të gjithë, ekspozitën e ka përshkruar partneri i organizatës “Integra” në “Barabar Centre”, Miodrag Marinkoviq.

“Jemi mbledhur këtu për të prezantuar më shumë se njëzet vepra artistësh të rinj nga të gjitha pjesët e Kosovës. Shumë prej jush do të mendojnë se vlera e kësaj qëndron tek ajo se artistët u takojnë etnive të ndryshme, por ideja jonë nuk ka qenë kjo. Kjo qendër është e tillë që promovon dhënien e mundësive për të gjithë njësoj, por ideja bazike ka qenë që t’u ndihmojmë artistëve të rinj të cilët luftojnë për t’u afirmuar, që luftojnë që t’i prezantojnë veprat e tyre e që në fund të fundit luftojnë që vepra e tyre të njihet, që arti i tyre të materializohet në mënyrë që të mund të jetojnë prej tij. Sepse nuk ka jetë më të bukur sesa kur punon atë që e do”.

Kuratorja e ekspozitës Vesa Sahatçiu, përderisa ka shpjeguar titullin e ekspozitës shitëse, ka folur për trupin dhe shprehjet artistike që e kanë emërues këtë subjekt. Sahatçiu është ndalur te dallimi i trupave në dy shekujt e fundit.

Ekspozita që qëndron e hapur në katin e katërt të hotelit “Grand” ka karakter shitës. Pos bashkimit të artistëve të komuniteteve të ndryshme, ka edhe rolin e përkrahjes së gjeneratës së re, atë që synon edhe “Barabar”, qendra e cila tash e tre muaj ka zënë vend në katin e katërt të “Grandit”.