Është një dramë që ka frakturë të fuqishme psikologjike, tension, mistere e ngarkesë. Gërditet nga zymtësia e një individi, e kaluara e tij që i helmon edhe njerëzit përreth. Është e pashmangshme që trauma të mos eksplodojë pa pritur e pa kujtuar. “Gërrdia” me tekst e nën regji të Astrit Kabashit, e dhënë premierë të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përballet me të, denoncon e thërret.
Shfaqja “Gërrdia” me tekst e nën regji të Astrit Kabashit vjen përtej një drame psikologjike. Si ajo që aktorët e konsiderojnë rikthim i teatrit tek aktorët për publikun. Jo pak njerëz mund ta gjejnë veten aty. Në esencë të përmbajtjes është pesha e fajit e trauma e së kaluarës. Shenjat e saj përfundimisht shpërthejnë në dramën e Kabashit, i cili të hënën mbrëma ka debutuar si regjisor.
Premiera e kësaj shfaqjeje është e para për sivjet e institucionit më të lartë teatror në vend. Në fakt “Gërrdia” është projekt i vitit të kaluar. Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës, edhe një tjetër herë, ka qenë i pamjaftueshëm për nga hapësira për të akomoduar gjithë publikun.
Fjalimi i aktorit Bujar Ahmeti si Leka ka shënuar skenën e parë të shfaqjes. Nën dritat e kaltra, krisma e armës është përfundimi i rrëfimit të tij. Menjëherë nisin të shpalosen kujtimet nga e kaluara. Mënyra sesi kryepersonazhi Leka i manifeston ato, e fut edhe publikun në gjendjen e tij të rëndë psikologjike. Me raste e bën të qeshë, aty-këtu me ndonjë ngjyrim komik. Rrëfimi nis nga fëmijëria. Nëna e Lekës kishte vdekur e babai i tij kishte mbetur krejtësisht vetëm. Të atin e mban në mend ulur në kolltuk pranë televizorit, me telepilot në dorë. Tregon se si fillimisht i shkuan këmbët e pastaj edhe truri. Se është shpirt në trupin pa jetë, e veç i ka mbetur të vdesë. Ka tre vjet që pret lajmin.Përditshmëria e tij në jetën bashkëshortore me Bernën, që luhet nga Maylinda Kosumoviq është kapitull tjetër. Por gjithë kapitujt e rrëfimit të shfaqjes çojnë në një pikë të vetme. Edhe skenat me mjeken, që luhet nga Rebeka Qena, kanë temë qendrore gjendjen e rënduar emocionale.
Aktori Bujar Ahmeti ka thënë se shfaqja tregon se si nga një individ i vuajnë pasojat të gjithë njerëzit të cilët i janë bërë pjesë e jetës.
“Secili rol ndikon, sidomos këto që janë më të thella, më psikologjike, në mënyrën se si njerëzit kanë jetuar në periudha të caktuara, ndoshta edhe sot. Ndoshta fshehin gabime, fshehin të metat e tyre, nxjerrin privilegje në shoqëri e në familje dhe më vonë i vuajnë pasojat të gjithë, jo vetëm Leka, por edhe gruaja e tij, motrat. Të gjithë që janë përreth, edhe shkolla, edhe nxënësit e tij”, ka theksuar ai.
Përgatitjet për shfaqjen kanë zgjatur gjashtë javë. Aktori Bujar Ahmeti ka thënë se dëshira e tij është që me këtë shfaqje, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës të mos shfaqen më pamflete politike. Por që teatri të bëhet skenë ku publiku e sheh veten. E sipas tij, shfaqja “Gërrdia” që në fillim ka qenë e menduar t’i ngjajë jetës së njerëzve.
“Dëshira dhe mesazhi im për këtë shfaqje është që teatri duhet t’u kthehet aktorëve. Njerëzit vijnë ta shohin veten në teatër, nuk vijnë të shohin pamflete politike, shfaqje që ndoshta i shijon një herë dhe më nuk vjen, por shfaqje të cilat vjen publiku t’i shohë disa herë. Sepse kanë nevojë të marrin vazhdimisht diçka nga shfaqjet”, ka deklaruar Ahmeti.
Pranë Lekës qëndron një grua më stoike emocionalisht, por edhe që nuk e kupton plotësisht atë. Aktorja Maylinda Kosumoviq ka theksuar se gjendja e tij shkon përherë duke u rënduar.
“Nganjëherë janë disa role më të vogla dhe janë mbështetëse për rolin kryesor dhe duket se nuk ke çfarë të japësh sepse duhet tërë kohën të luash për dikë tjetër. Por ka qenë shumë kënaqësi të gjenden detaje, diçka që të bëhet njëfarë raporti midis ne të dyve, sepse ajo shkatërrohet kah fundi. Mendoj se ajo më ka ndihmuar sepse në fillim ka pasur skena që kemi qenë shumë mirë, që tregon se ata nuk kanë pasur probleme. Mandej shkon duke e pasur këtë problem që nuk mund ta ndalë vajin. Duke e zbuluar, ia fal, mundohet, është aty për të, derisa ndodh e fundit”, ka theksuar Kosumoviq.
Sipas saj, i gjithë thelbi i veprës është shpalosur në skenë, ngase, sipas saj, kjo ka ngjarë duke e pasur edhe regjisor, autorin e kësaj vepre, Astrit Kabashin.
“Kur kemi filluar, kemi filluar direkt në skenë. Sepse e kishim regjisorin edhe autor, ai e dinte saktë se çfarë është duke dashur prej secilit personazh, kështu që na udhëzonte se si i ka parë kur i ka shkruar. Kjo ka qenë pak më e lehtë, sesa kur merret vepra e një tjetër autori, ndoshta nuk mund t’i nxirret gjithë thelbi. Por kur e ke autorin edhe regjisorin e njëjtë, mendoj se ajo ka qenë një përparësi për punën dhe procesin e progresin që e kemi pasur për të dalë direkt në skenë”, ka thënë Kosumoviq.
Kjo shfaqje ngjan në ato që shquhen për një pjesë të fuqishme të saj e që kryesisht është një lloj monologu. Një i tillë është në dramën “Gërrdia” të Astrit Kabashit. Performanca e tij me qëndrim statik, nën ndritat e lehta, sjell besëtytnitë, zakonet e fjalët në formën urdhërore të familjes patriarkale shqiptare. Seria e gjatë e fjalimit që kanë parashtesë fjalën “mos…” vjen plot mllef për të metat sociale. Nis si një lloj zhargoni që në familje e deri tek ai i skenës politike.
Autori i veprës, Astrit Kabashi, ka thënë se ka vendosur që në këtë fragment të shfaqjes të fliten temat tabu.
“Sidomos në shoqërinë tonë që është goxha patriarkale, zakonisht nuk fliten shumë. Unë kam vendosur të fliten. Pse të mos fliten dhe të mos trajtohen sepse më duket se ende vazhdojmë me ato probleme që tek ne nuk po kanë fund”, është shprehur Kabashi.
Dramaturgu e regjisori i shfaqjes, ka thënë se vepra është shkruar në rrethana të zymta për të gjithë, e dyfish të tilla për të. Ka thënë se ato rrethana kanë ndikuar edhe në historinë e veprës.
“Atë vit ka vdekur edhe nëna ime, kështu që këtë dramë kam dashur t’ia dedikoj asaj. Kanë qenë momente të rënda pas vdekjes së nënës, mandej erdhi edhe COVID-i. Ishin ditë goxha të errëta e ndoshta edhe unë hyra në to. Pastaj e kam përfunduar diku para 2023-tës. Kemi aplikuar në konkursin e Ministrisë ku ka fituar si drama më e mirë dhe e ka marrë të drejtën të punohet në Teatrin Kombëtar”, ka shtuar Kabashi.
Ka shpjeguar se kjo shfaqje “është dramë psikologjike që flet për një traumë të fshehur dhe që eksplodon pa pritur, pa kujtuar”. “Gërrdia” s’e fsheh traumën. E godet fuqishëm atë.