Nuk duhet shumë kohë midis fotografive që publiku të futet në ndjesinë e kohës së pandemisë. Imazhet e rikthejnë këtë ndjenjë dy vjet pasi bota u përballë me pandemi. “COVID-19” titullohet ekspozita e fotoreporterit Alban Bujari që është hapur të enjten në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Bart emrin e sëmundjes infektive që kishte gjunjëzuar botën më 2020 dhe 2021. Dhjetëra shkrepje të Bujarit rrumbullakojnë kronologjikihst përballjen e Kosovës më këtë sëmundje. Aty zënë vend ditët e para kur mbyllja ishte ilaçi i vetëm. Përhapja e infeksionit gjithandej ilustrohet bashkë me bartjen e viktimave të para. Qetësia në sheshet e kryeqytetit është fort e zëshme në shkrepjet e fotoreporterit të “Kohës Ditore”, Alban Bujari. Aktiviteti i personelit shëndetësor e deri te pritja në radhë për vaksinimin si ilaç të shumëpritur përthekojnë atë periudhe.
Vetë fotoreporteri Alban Bujari ka kujtuar ndjesinë e ditëve kur bashkë me kolegë qëndronin përballë Klinikës Infektive të QKUK-së.
Ekspozita e hapur në institucionin kryesor muzeor në vend kthen kohën prapa. Bën që të publiku të rrugëtojë nëpër imazhet e një periudhe të përjetuar.