Zogjtë e Petrit Halilajt ka kohë që kanë shtegtuar nëpër muze të njohura botërore. Por për herë të parë janë ndalur edhe në Meksikë. Në Meksiko City ekspozita e tij në muzeun “Tamayo” ka mbushur hapësirën me zogjtë e Runikut të Kosovës. Emri i fshatit të tij është edhe titull i ekspozitës së kuruar nga José Esparza Chong Cuy. Por ekspozita e parë e Halilajt në Amerikën Latine nuk përfundon me kaq.
Arti i tij fluturon edhe në qiellin e dy Amerikave. “Nga Runiku me dashuri” është porosia që bart një avion “Boing 737”. Ka për ilustrimin veprat e artistit nga Kosova.
Sipas muzeut meksikan, për Halilajn arti nuk ka qenë vetëm mjeti nëpërmjet të cilit udhëtonte dhe mësonte botën, por edhe një medium nëpërmjet të cilit ai mund të shprehë dhe eksplorojë emocione të ndërlikuara për historinë e atdheut të tij.
Nga Meksika, Halilaj në pranverë do të shkojë në institucionin prestigjioz, në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Atje do të transformojë tarracën në kulmin e ndërtesës ikonike.
Halilaj i lindur në më 1986 në Runik të Skenderajt vazhdimisht përcjell mesazhe paqeje nëpër botë. Veprat e këtij artisti që përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias më 2013, janë gjithnjë të lidhura me vendlindjen. Çojnë anekënd botës përvoja të luftës dhe nevojën për një tjetër realitet – atë të lirisë.