Provokim e kauzë politike është quajtur vizita e së shtunës në Mitrovicën e Veriore e presidentes në detyrë Vjosa Osmani dhe e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Vizita e cila u përcoll me fyerje nga banorët serbë të asaj ane, u kritikua nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, por edhe nga homologia e tij serbe, Ana Bërnabiq.
Hoti deklaroi se kauzat për fushatë duhet të lënë anash nga partitë politike, pasi, siç ka thënë, veriu i Mitrovicës është territor i Kosovës pa asnjë dyshim.
“Disa kauza dhe çështje duhet t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore, ai është territor i Kosovës pa asnjë dyshim dhe nuk kontestohet në asnjë formë. Secili ka të drejtë të lëvizë në katër anët e Kosovës, por nuk duhet të përdoret në asnjë moment për fushatë dhe për të treguar gjëra të cilat nuk qëndrojnë dhe nuk ekzistojnë”, ka thënë Hoti.
Ndërkohë homologia serbe e Hotit, Ana Bërnabiq, këtë vizitë e ka parë si provokim për popullatën serbe atje.
Bërnabiq ka falënderuar serbët në veri të Kosovës duke thënë se kanë treguar maturi
“Përpjekjet po vijnë vazhdimisht nga Prishtina për të mbledhur probleme politike, në vend se të shihen mënyra se si të ndihmohen njerëzit që jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Unë sërish do të përsëris një nga fjalitë më të qarta të presidentit Aleksandar Vuçiq, që është: ‘Njerëz, ne nuk dërguam armë e tanke atje, por vaksina dhe ilaçe. Nëse i shkatërroni dhe i kapni ilaçet, çfarë reagimi prisni?”, ka thënë Bërnabiq.
Kreu i Listës Serbe dhe zv.kryeministër në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq, ka thënë se Osmani dhe Kurti morën me vete persona të armatosur deri në dhëmbë dhe, sipas tij, disa mund të shiheshin edhe me simbole të UÇK-së.
Rakiqi ka thënë për mediat serbe se arsyetimi i tyre se shkuan në veri për fushatë nuk qëndron.
E Igor Simiq nga Lista Serbe vizitën e Osmanit dhe të Kurtit e ka quajtur tentim për të frikësuar serbët.
Njësoj është shprehur edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë e Metohi në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq.
Por bashkëpartiaku i Kurtit, Xhelal Sfecla, për situatën në veri ka fajësuar Qeverinë serbe dhe udhëheqjen e deritanishme të Kosovës në koalicionet me Listën Serbe.
“Përderisa ka teori të ndryshme për iniciatorët, tashmë është e qartë se mirëmbajtësit e kësaj situate janë Qeveria e Serbisë, nga jashtë, dhe mafia parapolitike e përfaqësuar nga udhëheqjet e deritashme të Kosovës, në koalicionet e tyre me Listën Serbe”, ka thënë Sfeçla.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale në veri, tregojnë se Osmani e Kurti janë përballur me dhjetëra qytetarë që brohoritnin se “Këtu është Serbi”. Aty dëgjohen edhe fyerje ndaj shqiptarëve.