Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Qeveria pa veprim për lehtësimin e barrës së qytetarëve nga shtrenjtimi i naftës

Nafta

Çmimet e karburanteve në Kosovë u rritën për mbi 30 për qind nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, por Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë masë fiskale për ta lehtësuar barrën për qytetarët. Teksa Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ulur akcizën dhe TVSH-në për të ndihmuar konsumatorët, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim vetëm për caktimin e marzhës së fitimit për tregtarët, masë që nuk ul çmimet, por vetëm parandalon abuzimet

Hiç kufizimit të fitimit për kompanitë, asnjë masë fiskale nuk ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për t’u dalë krah qytetarëve në përballjen e tyre me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të derivateve që nga fillimi i këtij muaji. 

Derisa vendet e rajonit tashmë kanë marrë masa lehtësuese për t’i mbrojtur qytetarët, duke zbritur akcizën dhe TVSH-në, ekzekutivi kosovar të vetmen masë që ka ndërmarrë deri tani është caktimi i marzhës së fitimit për kompanitë që tregtojnë me derivate, por e cila nuk ka dhënë efekt të zbritjes së çmimeve - vetëm ka parandaluar mundësinë e abuzimit nga tregtarët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shqipëria ka marrë vendim për uljen e akcizës për 20 për qind, Serbia për 40 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut, e cila ka akcizën më të ulët se Kosova, ka marrë vendim që ta ulë TVSH-në nga 18 për qind në 10 për qind për periudhën 2-javore.

Ani se çmimi i naftës u rrit për 30 për qind nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se prekjen e akcizës e sheh si veprim të fundit. E për TVSH-në shprehu dyshime nga përvoja e kaluar.

“TVSH po hezitojmë ta heqim pasi, kur ka pasur ulje të tatimit për gastronominë, kur është zbritur TVSH nuk janë zbritur çmimet. Kjo është praktikë e zakonshme, ku shteti e heq mbledhjen e TVSH-së nuk i ngarkon bizneset, por ato mund të mbajnë të njëjtën vlerë të çmimit. E vetmja që mund të monitorohet është që paralel me masën potenciale që ende nuk ka ardhur mund të kemi edhe masën e monitorimit të çmimit për derivate”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se të enjten do ta përcjellë në Qeveri draft-ligjin për çmimet tavan në mënyrë që më pas të shkojë në Kuvend për aprovim.

Por profesori i makro-ekonomisë, Shkumbin Misini tha se Qeveria do të duhej të merrte masa të menjëhershme.

“Italia ka larguar taksa, ndërsa Kosova është dashur që nga dita e tretë të bëjë ndryshime radikale në politikën fiskale. Qeveria në vend se t’ia lehtësojë jetën qytetarit, po ua vështirëson. Problemi tjetër është që çmimet nuk do të ndalen së rrituri dhe kostoja e jetës së qytetarëve është në rritje e sipër. Nëse vazhdon lufta në Lindjen e Mesme çmimi deri në fund të muajit do të shkojë deri në 2 euro. Kemi me pasë problem me çështjen e gazit, do të rritet çmimet e rrymës”, ka theksuar Misini.

Heqja e mundshme e TVSh-së nga shteti do ta ulte çmimin në rreth 1.45 euro për litër, ndërsa heqja e akcizës në rreth 1.28 euro.