Ekonomi

Produktet “Made in Kosova”, për 5.5 për qind më shtrenjtë sesa vjet

Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave (ASK) kanë treguar se produktet që janë të prodhimit vendor kanë shënuar rritje të ndjeshme në çmime, duke kontribuuar në inflacion. E ky inflacion, sipas ekonomistëve, është i gjeneruar brenda vendit dhe jo i importuar nga jashtë

Çmimet e produkteve “Made in Kosova” janë rritur për 5.5 për qind gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bazuar në të dhënat që Agjencia e Statistikave (ASK) i ka publikuar të mërkurën, rritje më e madhe e çmimeve është shënuar te veprimtaritë ekonomike të prodhimit të mjeteve motorike – prej 23 për qind, të energjisë elektrike (20.8 për qind) dhe të prodhimit të tekstilit (14.2 për qind).

Krahas këtyre, në ASK i kanë numëruar edhe produktet e tjera, çmimi i të cilave është rritur në krahasim me tremujorin e tretë të 2024-s. 

“Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike u rrit për 8.1%, prodhimi i veshjeve 7.9%, prodhimi i mobilieve 7.8%, shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara 7.0%, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. (produkte ose aktivitete prodhuese që nuk hyjnë në ndonjë kategori të veçantë të klasifikimit v.j.) 5.1%, prodhimi i pajisjeve elektrike 5.0%, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë 5.0%, përpunimi i produkteve ushqimore 3.1%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës 2.9%, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse 0.9%, prodhimi i produkteve minerale jometalike 0.4%, prodhimi i produkteve kimike 0.1%”, kanë treguar të dhënat e ASK-së.

E përderisa produktet e prodhimit vendor kanë shënuar rritje, një rënie e lehtë është evidentuar te produktet e importuara. Sipas të dhënave të ASK-së, rënia e çmimeve të prodhimeve të importuara është në vlerë 0.2 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të 2024-s, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, 1.9 për qind.

“Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve: lëkura dhe artikujt prej saj (-6,0 për qind); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-4,7 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt prej tyre (-4,7 për qind); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-3,9 për qind); letra dhe artikujt prej saj (-3,5 për qind), etj.”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

E teksa ka shpjeguar se përse ka ndodhur ky fenomen, ekonomisti Edison Jakurti ka theksuar se nga janari deri në shtator të këtij viti çmimet e importeve kanë shënuar ndryshim dhe janë për 0.5 për qind më lirë sesa vjet në periudhën e njëjtë.

“Inflacioni në Kosovë ka qenë 3.4 për qind, që do të thotë se mesatarisht të gjitha mallrat dhe shërbimet që konsumojmë janë bërë më të shtrenjta se një vit më parë. Kur çmimet e importit bien, por çmimet e përgjithshme rriten, kjo nënkupton se presioni inflacionar po vjen nga brenda vendit. Ashtu siç kam paralajmëruar para një viti, inflacioni tashmë është ‘Made in Kosova’. Ndoshta është mirë që më në fund po ‘prodhojmë’ edhe diçka tjetër—përveç krizave politike”, ka thënë ai.

Jakurti pati alarmuar në fillim të vitit, pas vendimit për rritje të çmimit të tarifave të energjisë, se Kosova po e prodhon vetë inflacionin dhe se kjo po bëhet për përfitime nga bizneset, për çka ka theksuar se janë duke heshtur institucionet.

Çmimet kanë shënuar rritje gjatë tërë këtij viti. Me gjithë shtrenjtimet, inflacioni, sipas ASK-së, është rritur vetëm për 5.1 për qind krahasuar me tetorin e kaluar. Në ASK kanë argumentuar se në këtë ndikim kanë pasur pushimet e organizuara, të cilat kanë shënuar rritje për 23.7 për qind, biletat e fluturimeve (me 21.0 për qind) dhe energjia elektrike (20.3 për qind).

E qytetarët të cilët janë përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve për produkte ushqimore bazë në vazhdimësi janë ankuar se kjo situatë ua ka bërë vështirë të përballueshëm kapërcimin e muajit.

Rritja e kostos së jetesës e përbën shqetësimin kryesor për rreth 70 për qind të qytetarëve të Kosovës, ka treguar një hulumtim i “Valicon”, kompani kjo e cila bën kërkime dhe analiza të tregut dhe që operon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përbëjnë shtysën kryesore të inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, ku bën pjesë edhe Kosova.