Inflacioni në muajin mars ka shënuar një rritje vjetore prej 6.7 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Sipas të dhënave Agjencisë së Statistikave, rritja ka prekur një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh. Derisa qytetarët ankohen për rritjen e çmimeve, ekonomistët kërkojnë nga Qeveria që të investojë në rritjen e kapaciteteve bujqësore
Shpërthimi i luftës në Iran që preku disa vende në Lindjen e Mesme i ka dhënë një shtysë rritjes së çmimeve të konsumit edhe për muajin mars.
Të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet u rritën për 6.7 për qind në mars të këtij viti, krahasuar me marsin e vitit të kaluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritja ka prekur një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, por që ndikim më të madh patën shërbimet që lidhen me pajisje të transportit personal, që u rritën për 42.5 për qind.
Rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe në furnizimin me ujë dhe shërbimet që lidhen me banimin, energjinë elektrike, si dhe karburantet.
Çmimet janë rritur ndjeshëm në kategorinë e ushqimit dhe produkteve bazë.
Mishi, pemët, perimet, produktet e qumështit kanë shënuar një rritje të vazhdueshme.
Sipas të dhënave të ASK-së, të cilat dallojnë nga ato të tregut, një kilogram mish në mars është tregtuar me një çmim mesatar prej 12.91 eurosh.
Bazuar në të dhënat nëpër markete çmimi është edhe më i lartë, ku një kilogram mish tregtohet me rreth 14 euro.
Çmime të ndryshme janë paraqitur edhe për vajin.
Një litër vaj sipas ASK-së në mars ka kushtuar 1.73 euro, ndërsa në markete një litër vaj të premten u tregtua me rreth 1.85 euro.
Ani se në treg është parë edhe një rritje e çmimit për speca, sipas ASK-së, ai është më i ulët sesa vitin e kaluar për rreth 30 centë, përkatësisht 3.11 euro për kg.
Megjithatë në market një kilogram speca po tregtohet me 5.29 euro, e domatet me 4 euro.
Por, ky çmim dallon edhe me ato që janë në treg të gjelbër në kryeqytet.
“Një kilogram (speca) këtu te ne mund të jetë prej 3.50 euro deri në 4 më së tepërmi. Në markete i ke çmimet shumë të larta. Por, varet nga blerësit, pasi 90 për qind shkojnë në markete të mëdha, nuk e frekuentojnë tregun e gjelbër dhe për ata gjërat janë më ndryshe”, ka thënë një nga shitësit në treg.
E, qytetarët ankohen se nuk arrijnë t’ia dalin pas rritjes së çmimeve.
“Janë ngritë normal, por çka me bë, se krejt janë rritë. Ushqimi është i ngritur pasi ka që nuk mund me ia arritë. Nuk po munden ata me nga dy-tri rroga, e jo ata me një rrogë”, ka thënë një qytetar.
“Çka ke me ble pash Zotin, krejt shtrenjtë. S’ka as inspektorat, as sen. Marketet, sot është çmimi, e merr, nesër është shtrenjtë”, thotë një tjetër.
Sipas ekonomistit Pëllumb Çollaku, Kosova gjatë pesë vjetëve të fundit është përballur me tri goditje të mëdha inflacioniste, ndërsa rikuperimi nga këto tronditje kërkon kohë.
“Qeveria duhet të shikojë dhe studiojë mirë strategjitë e saj të zhvillimit në mënyrë që gradualisht të rrisë dhe konsolidojë kapacitetet e saj bujqësore, ndërsa sa u përket furnizimeve të orientohet më shumë edhe në aranzhim të kontratave afatgjata, të cilat do të mundësonin stabilizim të çmimit të furnizimit dhe jo intervenime të përkohshme dhe ad-hoc që e lëndojnë çmimin përfundimtar të produktit”, ka thënë Çollaku.
Të dhënat e marsit tregojnë se inflacioni mbetet i përhapur në shumë sektorë të ekonomisë, duke rritur presionin te xhepat e qytetarëve dhe gërryer fuqinë blerëse.