Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Lojtari i Zelandës së Re po e përballon mirë famën e papritur në mediat sociale

Payne

Mbrojtësi i Zelandës së Re, Tim Payne, po e përballon mirë famën e papritur në mediat sociale, derisa po përgatitet për Kupën e Botës në futboll. Rasti i Payne solli vëmendje të papritur në përfaqësuesen me renditjen më të ulët që merr pjesë në Botërorin që fillon më 11 qershor.

Për më pak se një javë, llogaria e Payne në “Instagram” ka shpërthyer në 4715 ndjekës në plot 4,2 milionë ndjekës. Kjo ndodhi pasi një “influencer” argjentinas tha se Payne ishte lojtari më pak i njohur i Kupës së Botës dhe u kërkoi ndjekësve të tij t’i jepnin lojtarit të Zelandës së Re pëlqime, komente dhe ta ndiqnin në “Instagram”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Argjentinasi erdhi në këtë përfundim duke u bazuar në numrin e ndjekësve në “Instagram” që kishin lojtarët pjesëmarrës në Kupë të Botës.

Trajneri i Zelandës së Re, Darren Bazeley, pranoi se nuk e njeh mirë “mekanikën e gjërave virale në mediat sociale”, por tha se Payne po e menaxhonte mirë situatën. 

“Nuk jam shumë i aftë me mediat sociale. Prej asaj që e kuptoj, është padyshim çështje e madhe.

Shifrat për të cilat po flasim janë të mëdha”, ka thënë Bazeley nga baza e Zelandës së Re në Fort Lauderdale në Florida.

“Mendoj se Tim po e përballon shumë mirë. Ai është ndoshta lloji i personit që nuk entuziazmohet shumë me plot gjëra. Ai e di pse është këtu dhe çka dëshiron nga ky turne, nga ky udhëtim. Por unë nuk i kuptoj vërtet mekanikët pas këtyre shifrave dhe çka nënkuptojnë ato. Jam i sigurt se djemtë po i japin pak shtytje rrugës. Mendoj se ai ka një këngë dhe gjëra të tilla”, ka shtuar selektori i Zelandës së Re.

“Influenceri” Valen Scarsini, i njohur si “elscarso” në “Instagram” dhe “TikTok”, ndezi zjarrin javën e kaluar kur bëri një video duke i inkurajuar ndjekësit të shfaqnin mbështetje për mbrojtësin e Wellington Phoenix.

Audienca e Payne në “Instagram” ka kaluar tashmë shumicën e sportistëve dhe figurave publike të Zelandës së Re. Payne të premten e kaluar publikoi një video duke e falënderuar Scarsinin në gjuhën spanjolle dhe duke thënë se ishin “48 orë të çmendura”. 

Dhe komentet në përkrahje të tij vazhdojnë.

“Më i madhi i yni. Pa Payne, s’ka fitore”, shkroi një ndjekës.

Mesfushori i Zelandës së Re, Marko Stamenic, u tha gazetarëve se ishte vërtet i lumtur për Paynen dhe i sigurt se “fama në rrjetet sociale nuk do të ketë ndikim të keq”.

“Kjo tregon fuqinë e mediave sociale. Ai është plotësisht i përqendruar në detyrën që kemi në Botëror”, ka thënë Stamenic.