Kupa e Botës vazhdon të sjellë dramë dhe momente të paharrueshme. Gjysmëfinalja tani do të vërë përballë katër shtete të fuqishme të futbollit.
Franca, Spanja, Anglia dhe Argjentina janë vetëm dy fitore larg titullit të botës dhe në prag të finales hapësira për gabim thuajse nuk ekziston.
BBC ka publikuar të dielën detajet se çfarë duhet pritur në ndeshjet gjysmëfinale. Franca përballet me Spanjën të martën në Dallas, ndërsa Anglia me Argjentinën të mërkurën në Atlanta. Të dyja ndeshjet nisin në orën 21:00.
Mbappe kundër Yamalit
Me dy prej përfaqësueseve më të forta evropiane që luajnë ndaj njëra-tjetrës, ndeshja Franca – Spanja i ka të gjithë përbërësit për të qenë klasike e Kupës së Botës.
Edhe
Franca lë pas të kaluarën për gjysmëfinalen ndaj Spanjës
Kylian Mbappe dominoi mediumet botërore edhe pas fitores së Francës 2:0 ndaj Marokut, për të bërë vend në gjysmëfinale. Ai tani i ka tetë gola në turne dhe është vetëm një gol prapa Lionel Messit sa i takon golave në histori të Kupave të Botës.
Por, forca më e madhe e Francës është kualiteti në gjithë fushën, me Ousmane Dembelen që ia siguroi fitoren në çerekfinale dhe tani i ka pesë gola.
Michael Olise ka qenë organizatori i shkëlqyer i Didier Deschampsit me pesë asistime.
Cilësia mund të jetë vendimtare për dy herë kampionen e botës ndaj Spanjës, nga e cila u mposht 2:1 në gjysmëfinale të “Euro 2024”.
Spanja e fitoi Evropianin në fund.
Ka shpresë se futbolli më i mirë i Spanjës ende nuk është shfaqur.
Ylli Lamine Yamal ende nuk e ka treguar më të mirën në Botëror. Sulmuesi i Barcelonës ka shënuar vetëm një herë – ndaj Arabisë Saudite, në fazën grupore.
Mikel Oyarzabal shënoi katër gola, por asnjë në dy ndeshjet e fundit. Kështu që përzgjedhësi Luis de la Fuente është dashur të intervenojë në fund me zëvendësuesin Mikel Merino, që ia siguroi fitoret ndaj Portugalisë dhe Belgjikës në fazën nokaut.
Spanja, kampione e botës në vitin 2010, shpreson që Yamali, i cili do të jetë 19-vjeçar në prag të kësaj sfide, ta bëj paraqitjen që do ta justifikonte talentin e tij.
Franca do të luajë në gjysmëfinalen e tetë të Kupës së Botës dhe e barazon Brazilin. Vetëm Gjermania me 12 paraqitje në këtë fazë të garës, ka më shumë prani.
Spanja është në ecurinë më të gjatë në histori pa humbje dhe e ka shmangur disfatën në 36 ndeshjet e fundit. Humbjen e fundit e pësoi nga Kolumbia në mars të vitit 2024. Spanja i ka fituar 27 ndeshje dhe ka barazuar nëntë herë gjatë kësaj periudhe.
Edhe
Mbappe e Yamal përballen sërish
Kjo do të jetë vetëm përballja e dytë në Botëror mes këtyre dy përfaqësueseve. “Les Bleus” fitoi 3:1 kur për herë të fundit u takuan në vitin 2006, në 1/8 e finales së Kupës së Botës.
Armiqtë e vjetër takohen në rivalitetin e ripërtërirë
Kjo do të jetë paraqitja e dytë e Anglisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës që prej vitit 2018. Dhe për ta arritur finalen e parë në 60 vjet, Anglia duhet të fitojë ndaj Argjentinës.
Është ndeshje me pasion dhe rivalitet, 40 vjet pasi Diego Maradona thuajse i vetëm e eliminoi Anglinë në çerekfinale të Botërorit që ishte luajtur në Meksikë.
Kësaj radhe, Argjentina e ka një tjetër superyll me numrin 10, Lionel Messin që asnjëherë nuk është ballafaquar me Anglinë.
Edhe Anglia e ka një ikonë me numrin 10, Jude Bellinghamin, i cili ka shënuar nga dy herë në dy ndeshjet e fundit të fazës nokaut. Është arritje që vetëm Maradona e kishte regjistruar në Botërorin 1986.
Harry Kane i ka gjashtë gola, sa ka edhe superylli i Real Madridit, Bellingham.
Të dyja shtetet vuajtën për të arritur në këtë fazë të garës, duke shënuar fitore në vazhdime.
Ballafaqimi i së mërkurës do të jetë me pasion të madh po ashtu.
Anglia është në ecuri të gjatë pozitive në Kupë të Botës, me katër fitore, që nuk kishte ndodhur prej vitit 1966.
Edhe
Dhjetë lojtarë të Barcelonës në gjysmëfinale
Thomas Tucheli është vetëm selektori i dytë i Anglisë që nuk ka humbje në gjashtë ndeshjet e para të Kupës së Botës. Alf Ramsey në vitin 1966 e kishte të njëjtin bilanc, me pesë fitore e një barazim.
Argjentina ka arritur në katërshen më të mirë të Botërorit për herën e tretë në katër edicionet e fundit, 2014, 2022 dhe 2026. Para vitit 2014, Argjentina nuk kishte shkuar deri në gjysmëfinale që prej vitit 1990.