Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Anglia mbështetet në golat e Harry Kane për sukses në Botëror

Harry Kane

Kur Anglia të dalë në fushë në Dallas më 17 qershor për t’u përballur me Kroacinë në ndeshjen e parë të saj në Kupë të Botës, të gjithë sytë do të jenë te kapiteni Harry Kane.

Tifozët shpresojnë se ai mund të vazhdojë serinë e golave që e kishte te Bayerni dhe ta udhëheqë Anglinë drejt titullit të parë ndërkombëtar në 60 vjetët e fundit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

31-vjeçari i shënoi plot 61 gola për Bayernin në edicionin që tashmë përfundoi. 14 prej golave i realizoi në Ligën e Kampionëve, ku Bayerni u ndal në gjysmëfinale nga PSG-ja.

Me 36 gola në 31 paraqitje në ligë, Kane e fitoi për herë të tretë radhazi titullin e golashënuesit më të mirë të Bundesligës. Është lojtari i parë që e arrin këtë në tri edicionet e para në elitën gjermane.

Kane është edhe golashënuesi më i mirë në të gjitha ligat evropiane. Ai kishte shkëlqyer edhe te Tottenhami, por pa fituar trofe. Te Bayerni i ka dy tituj të Bundesligës dhe një trofe të Kupës gjermane.

“Është transferimi më i mirë që kemi bërë ndonjëherë”, ka thënë presidenti i nderiti i Bayernit, Uli Hoenes për Kanen.

Edicioni i fundit ishte më i miri në karrierën e kapitenit anglez, sa i takon golave të shënuar. 

“Në Angli, përfundimi i aksioneve nga Kane nuk u nënvlerësua kurrë. Lidershipi i tij nuk u nënvlerësua kurrë. Por te Bayerni vie më shumë në shprehje loja e gjithanshme e tij, shkalla e punës, intelegjenca në lojë”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.

Anglia e ka fituar Botërorin vetëm në vitin 1966. Dhe tifozët e “Tre Luanëve” e shohin Kanen si lojtarin e vetëm që mund të përballojë pritjet nga Botërori që fillon më 11 qershor.

Selektori i Anglisë, Thomas Tuchel, që është gjerman, ka vetëm lavde për kapitenin Kane.

“Është e pabesueshme se si e gjenë hapësirën për të gjuajtur dhe për të shënuar”, ka thënë Tuchel.

Nuk ka dyshim që përfundimi i aksioneve nga Kane është i klasit më të lartë. Por në edicionin e fundit ra në sy edhe bashkëpunimi i tij me Michael Olise dhe Luis Diaz.

Tek Anglia, partnerët e sulmit të Kane pritet të jenë Bukayo Saka, Noni Madueke, Jude Bellingham e Marcus Rashford.

Kane është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Anglisë me 78 gola në 112 paraqitje.

Ai mban edhe rekordin për gola si kapiten i Anglisë dhe për gola në turne të mëdhenj.

Se sa i rëndësishëm është për ekipin u bë e qartë edhe në mars, në miqësoret e kaluara të Anglisë.

Kane mungoi në fakt dhe kjo bëri që Anglia ta shënojë vetëm një gol në dy ndeshje. Luajti 1:1 me Uruguain dhe humbi 1:0 nga Japonia.