Botë

Zjarre masive në tërë Bullgarinë, shkatërrohen pyje e shtëpi

zjarret

Në gati 100 zona në mbarë Bullgarinë të dielën janë pahapur zjarre që kanë lënë shumë shtëpi të djegura dhe kanë detyruar banorët të evakuohen. 

Një zjarr në malin Pirin, që ndodhet në jugperëndim të vendit, është përhapur me shpejtësi në mijëra hektarë pyje.

Mbi 200 zjarrfikës që u dërguan në atë zonë u tërhoqën pasi erërat e forta rrezikonin jetët e tyre, përderisa autoritetet kanë shtuar se po presin mbështetje ajrore nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, ka shkruar Reuters.

Në perëndim të Bullgarisë, një zjarr që shpërtheu të shtunën dhe u përhap shpejt nëpër kufirin me Serbinë përgjatë vargmalit Miloslavska, e dogji pothuajse tërë fshatin Rani Lug.

“Është tragjedi e pamëshirshme”, ka thënë zjarrfikësi, Zvezdelin Vlaykov. “Në të gjitha vitet e mia në punën e zjarrfikësit, nuk kam parë asgjë të këtillë”.

Autoritetet kanë njoftuar se tre fshatra janë evakuuar dhe se zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Përmes një deklarate, në Ministrinë e Brendshme e kanë përshkruar situatën e zjarreve në Bullgari si “dinamike dhe të rëndë”.

Të dielën pasdite, një zjarr i madh kishte shpërthyer në fshatin Kozarevo në provincën juglindore të Yambolit, duke djegur disa shtëpi.

E përveç Bullgarisë, shumë shtete të Evropës Juglindore kanë vazhduar të ballafaqohen me temperaturat ekstreme dhe zjarret masive. 

Vetëm në ditën e djeshme, kishte raportime se Greqia po përballej me zjarre të mëdha në të gjithë vendin, teksa autoritetet i kishin evakuuar banorët në rajonin më të goditur, vetëm 30 kilometra në veri të kryeqytetit Athinë. 

Ndërkaq, zjarrfikësit kanë luftuar me flakët edhe në Turqi, mes valës së të nxehtit përvëlues në Mesdhe, duke i shtyrë autoritetet të evakuojnë mbi 3,600 persona nga vendbanimet në dy provinca.