Botë

Zjarr në pronat e kryeministrit britanik, arrestohet i dyshuari

Zjarr në pronat e kryeministrit britanik, arrestohet i dyshuari

Policia ka arrestuar një burrë nën dyshim për zjarrvënie në dy prona dhe një makinë që kanë lidhje me kryeministrin britanik, Keir Starmer.

Policia Metropolitane ka njoftuar se 21-vjeçari u arrestua me dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme dhe se tani është në paraburgim.

Shërbimet e emergjencës iu përgjigjën një zjarri në shtëpinë private të kryeministrit në Kentish Town, në veri të Londrës, herët të hënën.

Të dielën, ekipet e ndihmës së shpejtë u thirrën për një zjarr të vogël në derën e përparme të një shtëpie në Islington, gjithashtu pronë e Starmerit.

Një person u shpëtua nga zjarrfikësit gjatë incidentit, njoftoi Brigada e Zjarrfikësve të Londrës.

Policia po heton gjithashtu një zjarr të vogël që ndodhi të enjten në një makinë, në të njëjtën rrugë me pronën e Kentish Town.

Policia kundër terrorizmit po udhëheq hetimin dhe po i trajton zjarret si të dyshimta.

Raportohet që Starmer është ende pronar i shtëpisë, por jeton në Downing Street.

Ai jetonte në shtëpi para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024 dhe që atëherë është dhënë me qira.

Të hënën, Starmer falënderoi shërbimet e emergjencës për punën e tyre.

Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper tha për BBC-në se ishte informuar mbi incidentet, por se nuk mund të komentonte më tej.