Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Izraeli e Libani janë pajtuar për ta zgjatur armëpushimin për tri javë të tjera, pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Armëpushimi fillestar 10-ditor që nisi të premten e kaluar do të skadonte të hënën. Trumpi ndërkohë ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të “gjuajnë dhe shkatërrojnë” anijet e vogla iraniane që vendosin mina nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Këtu do të mund të lexoni të gjitha lajmet e reja rreth luftës në Lindjen e Mesme

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kushneri e Witkoffi do të shkojnë në Islamabad për bisedime me Iranin

1 muaj më parë / 24 pri 2026 21:15
Steve Witkoff

Photo: Associated Press

Emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, do të shkojnë në Islamabad në Pakistan për bisedime të mëtejme me Iranin, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë për “Fox News”.

Të dy pritet të nisen të shtunën në mëngjes për t’i vazhduar negociatat, ka bërë të ditur zëdhënësja Karoline Leavitt.

Ajo po ashtu ka thënë se zëvendëspresidenti JD Vance nuk do të jetë pjesë e rundit të ri të bisedimeve, por do të jetë në dispozicion nëse duhet.

Ajo ka thënë po ashtu se presidenti Trump është fleksibil për të zgjatur armëpushimin dhe se ka interesim “për t’i dëgjuar iranianët”.

Sipas saj, në ditët e fundit ka pasur përparim nga pala iraniane në çështjen e bisedimeve.

Ndërkaq agjencia e lajmeve iraniane “Tasnim” ka shkruar se aktualisht për ministrin e Jashtëm iranian nuk ka në agjendë ndonjë takim me palën amerikane. Aty është thënë se Abbas Araghchi ka udhëtuar në Islamabad për të diskutuar me zyrtarët pakistanezë për fundin e luftës.  

Hegseth thirrje evropianëve që të marrin më shumë përgjegjësi: SHBA-ja e ka në kontroll Hormuzin

1 muaj më parë / 24 pri 2026 14:35
Pete Hegseth - sekretar i Mbrojtjes i SHBA-se

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka hapur konferencën për shtyp në një stil të ngjashëm me ato të mëparshmet, duke theksuar suksesin ushtarak të SHBA-së ndaj Iranit dhe duke deklaruar se Irani ka mundësinë të arrijë një “marrëveshje të mirë”.

Ai tha se bllokada në Ngushticën e Hormuzit po “rritet” dhe se është “zgjeruar globalisht”, duke iu referuar kapjes së dy anijeve iraniane të ashtuquajtura pjesë e “flotës së errët”.

“Sot ne jemi në kontroll; asgjë nuk hyn, asgjë nuk del”, deklaroi ai, duke shtuar se deri tani 34 anije janë kthyer mbrapsht nga hyrja në Ngushticë.

Hegseth përsëriti gjithashtu deklarata të mëparshme, duke folur për marinën iraniane “të fundosur në fund të detit” dhe duke lavdëruar vendosmërinë e presidentit Donald Trump.

“Kjo nuk duhet të jetë vetëm një luftë e Amerikës”, tha ai, duke theksuar se Evropa dhe Azia përfitojnë më shumë nga Ngushtica e Hormuzit sesa SHBA-ja.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të kenë “më pak konferenca të zbukuruara… dhe të dalin në terren”.

“Kjo është më shumë lufta e tyre sesa e jona”, tha Hegseth, pavarësisht faktit se SHBA është e përfshirë drejtpërdrejt.

 

 

 

 

Ministri i Jashtëm i Iranit pritet ta vizitojë Pakistanin këtë fundjavë

1 muaj më parë / 24 pri 2026 14:05
Abbas Araghchi

Dy zyrtarë pakistanezë kanë bërë të ditur për Associated Press të premten se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pritet të vizitojë Pakistanin këtë fundjavë. Ata nuk dhanë detaje të tjera, por thanë se ai do të shoqërohet nga një delegacion i vogël qeveritar dhe mund të mbërrijë që të premten.

Sipas këtyre burimeve, Pakistani po përpiqet të rifillojë bisedimet për një armëpushim mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin për mediat.

Ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar se kur saktësisht do të zhvillohen bisedimet.

Trumpi zgjat për 90 ditë pezullimin e zbatimit të ligjit “Jones Act”

1 muaj më parë / 24 pri 2026 14:02
Donald Trump

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar zgjatjen për 90 ditë të përjashtimit nga zbatimi i “Jones Act”, ligjit që zakonisht kërkon që transporti detar midis porteve të Shteteve të Bashkuara të kryhet vetëm me anije amerikane.

Ky përjashtim e lehtëson përdorimin e anijeve të huaja për transportin e naftës dhe gazit natyror, pas luftës me Iranin, raporton Associated Press. 

Trumpi pati vendosur më herët një përjashtim 60-ditor në mes të marsit. Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, masa po ndihmon në stabilizimin e çmimeve të energjisë dhe në rritjen e furnizimit, sidomos pasi u kufizua kalimi në Ngushticën e Hormuzit.

Një postim nga një ndihmës i zyrës së shtypit tha se të dhënat e reja tregojnë se furnizime më të mëdha kanë arritur më shpejt në portet amerikane pas vendosjes së përjashtimit fillestar.

SHBA-ja po përgatit plane për ta shkatërruar mbrojtjen e Iranit në Hormuz nëse dështon armëpushimi

1 muaj më parë / 24 pri 2026 09:08
hormuz

Photo: Associated Press

Zyrtarët ushtarakë të SHBA-së po zhvillojnë plane të reja për të shënjestruar kapacitetet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit në rast se dështon armëpushimi aktual, raportoi CNN-i nga burime të njohura.

Opsionet përfshijnë sulme me një fokus të veçantë në “shënjestrimin dinamik” të kapaciteteve të Iranit rreth Ngushticës së Hormuzit, Gjirit jugor Arab dhe Gjirit të Omanit, thanë burimet, duke përshkruar sulme të mundshme ndaj anijeve të vogla të shpejta luftarake, mjeteve për vendosjen e minave detare dhe aseteve të tjera asimetrike që i kanë mundësuar Teheranit të bllokojë në mënyrë efektive këto rrugë ujore kyçe dhe t’i përdorë ato si levë presioni ndaj SHBA-së.

Shumica e bombardimeve në muajin e parë ishin të fokusuara në caqe larg ngushticës, duke u fokusuar më brenda Iranit. Planet e reja tani fokusohen në fushatë bombardimesh përreth rrugëve ujore kyç strategjike. 

Irani po ashtu ka një numër anijesh të vogla që mund të përdoren si platforma për nisjen e sulmeve ndaj anijeve amerikane, gjë që mund të komplikojë edhe përpjekjet amerikane për hapjen e ngushticës.

Sulmet ushtarake përgjatë ngushticës mund të mos e hapin menjëherë ngushticës, sipas burimeve, të cilat thonë se ushtria amerikane po ashtu mund të vazhdojë sipas kërcënimeve të mëparshme të Trumpit në shënjestrimin e infrastrukturës, përfshirë ato energjetike, në atë mënyrë që ta kthejë Iranin në tavolinën e negociatave. Trumpi pati thënë se SHBA-ja do t’i rikthejë operacionet ushtarake në mungesë të një zgjidhjeje diplomatike.

Një tjetër plan që po zhvillohet nga ushtarakët është që të shënjestrohen liderët ushtarakë iranianë dhe të tjerë brenda regjimit të cilët sipas SHBA-së po minojnë përpjekjet për negociata. Këtu përfshihet Ahmad Vahidi, komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. 

Në sulmin e kapaciteteve iraniane përfshihet goditja e raketave, lëshuesit e tyre, objektet e prodhimit të raketave, e të tjera. 

Marina amerikane ka 19 anije në Lindjen e Mesme, përfshirë dy transportues të avionëve luftarakë, dhe shtatë anije në Oqeanin Indian.