“Ne s’do të largohemi nga Donbasi. Nuk mund ta bëjmë këtë. Për rusët, Donbasi është trampolinë për një ofensivë të ardhshme”, tha Zelensky.
Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina nuk mund të pajtohet me një propozim rus për të hequr dorë nga pjesë të territorit të saj në këmbim të një armëpushimi, sepse Moska do ta përdorte atë që fitoi si një trampolinë për ta filluar një luftë të ardhshme.
Presidenti ukrainas ka thënë se s’beson që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbështet kërkesat e Rusisë dhe shprehu shpresën se lideri amerikan do të veprojë si ndërmjetës i ndershëm kur të takohet me presidentin rus Vladimir Putin të premten në Alaskë.
Ai shtoi se nuk ka shenja se Rusia po përgatitet për zbatim të një armëpushimi, pasi dolën raporte se grupe të vogla sabotimi kishin depërtuar në mbrojtjen ukrainase në Donbasin lindor, duke përparuar rreth 6 milje në tri ditë. Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po planifikon ofensiva të reja në tri pjesë të vijës së frontit.
Duke folur për gazetarët në prag të samitit Trump – Putin dhe një ditë para një takimi me udhëheqësit amerikanë dhe evropianë, Zelensky ka thënë se beson se Putini dëshiron që ta dominojë Ukrainën pasi ai “s’dëshiron një Ukrainë sovrane”.
Prandaj, Zelensky tha, se është e rrezikshme që Ukraina të detyrohet nga SHBA-ja që ta pranojë kërkesën e Rusisë për t’i dorëzuar pjesët e Donbasit që nuk i kontrollon tashmë. Rajoni i kërkuar nga Rusia arrin në rreth “90 mijë kilometra katrorë” të vendit, tha Zelensky.
Javën e kaluar Rusia tregoi se ishte e gatshme të shqyrtonte një armëpushim në luftën ne Ukrainë, në këmbim që Ukraina të tërhiqet nga pjesët e Donbasit që ende i kontrollon.
“Ne s’do të largohemi nga Donbasi. Nuk mund ta bëjmë këtë. Për rusët, Donbasi është trampolinë për një ofensivë të ardhshme”, tha Zelensky.
Rajoni i kërkuar nga Rusia është shumë i rëndësishëm në aspektin strategjik për ta dorëzuar, ka thënë presidenti ukrainas, pasi është një zonë e fortifikuar shumë që i mbron qytetet qendrore të Ukrainës.
“Nuk kam dëgjuar gjë – asnjë propozim të vetëm – që do të garantonte se një luftë e re s’do të nisë nesër dhe se Putini nuk do të tentojë t’i okupojë së paku Dnipron, Zaporizhzhian apo Kharkivin, pasi ta marrë gjithë Donbasin”, tha Zelenskyn.
Zelensky tha se do që Putini të pajtohet për një armëpushim në vijat aktuale të frontit dhe se të dyja palët t’i kthenin gjithë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e zhdukur, para se të hapet çfarëdo diskutimi rreth territorit dhe sigurisë së ardhshme të vendit.
Ai tha se s’do të jetë në samit në Alaskë, takimi i parë ballë për ballë mes Trumpit dhe Putinit që nga viti 2018. Por, tha se shpreson se do të pasohet nga një “takim trepalësh” me Trumpin dhe Putinin, ndonëse lideri rus deri më tash ka thënë se nuk do që të takohet me Zelenskyn.
Zelensky shprehu po ashtu besimin tek Trumpi, për të cilin tha se mund të veprojë si një ndërmjetës i ndershëm mes tij dhe Putinit.
“Nuk besoj se propozimi i Putinit është propozim i Trumpit. Besoj se Trumpi përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai po vepron si ndërmjetës – është në mes, jo në anën e Rusisë. Le të mos jetë në anën tonë, por të jetë në mes”, tha Zelensky.
Lideri ukrainas tha se nuk e di saktësisht se çfarë do të diskutojnë në Alaskë, Putini e Trumpi, duke thënë se “ndoshta ka një rrugë dypalëshe” bisedimesh rreth temave të interesit të ndërsjellë si tregtia, sanksionet dhe biznesi. Por, ai tha se Putini kishte arritur një fitore diplomatike duke siguruar takimin.
“Ai po kërkon, të më falni, fotografi. Atij i duhet një foto e takimit të tij me presidentin Trump”, tha Zelensky.
Ai po ashtu tha se Rusia dëshpërimisht po tenton të tregojë se po e fiton luftën dhe se Kremlini dëshiron “të krijojë një narrativë të caktuar, veçanërisht në median amerikane, se Rusia po ecën përpara dhe se Ukraina po humb” duke kryer sulme sabotimi në rajonin e Donbasit.
Zelensky ka pranuar se “grupe ruse kanë përparuar rreth 10 kilometra në disa vende”, megjithëse shtoi: “Ata nuk kanë pajisje, vetëm armë në duar”.
Zelensky tregoi se disa prej tyre janë vrarë apo kapur deri më tash.
Zelensky tha gjithashtu se Rusia po përgatitë një ofensivë të re në vjeshtë, që do të përfshinte rreth 30 mijë trupa të zhvendosura nga Sumy, në verilindje të Ukrainës.