Zelensky ka thënë se përveç marrëveshjes së përgjithshme kornizë, ka edhe dy dokumente të veçanta që Ukraina shpreson t’i nënshkruajë në ditët në vijim, një mbi garancitë e mundshme të sigurisë që do të hynin në fuqi nëse Rusia e sulmon sërish Ukrainën dhe një mbi ripërtëritjen ekonomike të Ukrainës. E shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se Rusia mund ta nisë një luftë ndaj Evropës brenda 5 vjetëve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shtyjnë Ukrainën t’i tërheqë trupat nga Donbasi dhe të krijojë “një zonë të lirë ekonomike” në pjesët e rajonit që Kievi i kontrollon, tha të enjten presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Më parë SHBA-ja kishte sugjeruar që Ukraina t’ia dorëzonte Rusisë pjesët e Donbasit që ende i kontrollon, por tash Washingtoni ka sugjeruar një version kompromisi në të cilin trupat ukrainase do të tërhiqeshin, por trupat ruse nuk do të përparonin në këtë territor, tha Zelensky.
“Kush do ta qeverisë këtë territor, të cilën ata e quajnë një ‘zonë të lirë ekonomike’ ose ‘zona të demilitarizuara’, ata nuk e dinë”, tha presidenti ukrainas, duke folur me gazetarët në Kiev të enjten.
Zelensky tha se Ukraina nuk beson se plani është i drejtë pa pasur garanci se trupat ruse nuk do ta marrin thjesht zonën pas tërheqjes së trupave ukrainase.
“Nëse trupat e njërës palë duhet të tërhiqen dhe pala tjetër qëndron aty ku është, atëherë çfarë do t’i pengojë këta trupa të tjerë rusët? Apo çfarë do t’i ndalojë ata të maskohen si civilë dhe të marrin kontrollin e kësaj zone të lirë ekonomike? E gjithë kjo është shumë serioze. Nuk është fakt që Ukraina do të binte dakord me këtë, por nëse po flasim për një kompromis, atëherë duhet të jetë një kompromis i drejtë”, tha Zelensky.
Ai tha se nëse Ukraina do të binte dakord për diçka të tillë, do të duheshin zgjedhje ose një referendum për ta ratifikuar atë.
Sipas planeve aktuale të SHBA-së, tha Zelensky, Ukraina do të tërhiqej nga Donbasi, ku Rusia po përparon, ndërsa vijat e frontit do të ngriheshin në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia. Rusia do të hiqte dorë nga disa zona që kontrollon në rajone të tjera.
Zelensky ka qenë nën presion të madh nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për ta nënshkruar planin e paqes të propozuar SHBA-ja. Ditët e fundit Trump e ka sulmuar Zelenskyn, duke pretenduar se ai “as nuk e ka lexuar” draftin e planit të paqes dhe ka sugjeruar se atij i mungon legjitimiteti dhe Ukraina duhet të mbajë zgjedhje.
Zelensky tha se ekipi negociator ukrainas e ka dërguar planin e rishikuar në Washington të mërkurën dhe se çështjet mbi territorin dhe kontrolli i centralit bërthamor të Zaporizhzhias janë dy pikat e mbetura të ngërçit.
“Nuk është plani përfundimtar; është reagim ndaj asaj që pranuan. Plani po përpunohet dhe redaktohet vazhdimisht dhe ky është proces që po vazhdon”, tha Zelensky.
Nëse Washingtoni dhe Kievi bien dakord, atëherë mbetet pyetja shumë më e madhe nëse presidenti rus Vladimir Putin është vërtet gati ta nënshkruajë një marrëveshje apo thjesht po fiton kohë.
Në Berlin, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se nëse Putinit i lejohet të bëjë çmos në Ukrainë, atëherë perspektiva e një lufte në Evropë është shumë reale. Ai ka paralajmëruar se kontinenti kishte qenë i vetëkënaqur ndaj kërcënimit të Rusisë.
“Një luftë e re e nga Rusia mund të vijë brenda pesë vjetëve të ardhshme dhe mund të jetë e shkallës që përjetuan gjyshërit e stërgjyshërit tanë”, tha Rutte, duke bërë thirrje për rritje të shpenzimeve për mbrojtje.
“Shumë njerëz besojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Është koha për të vepruar tash”, tha Rutte.
Rutte është ndër politikanët evropianë që ka punuar shumë për ta mbajtur administratën Trump në anën e Ukrainës, pasi presidenti amerikan duket se po bëhet gjithnjë e më i paduruar me mungesën e një marrëveshjeje paqeje.
Të enjten pasdite presidenti i Ukrainës, Zelensky, zhvilloi një videolidhje me rreth 30 udhëheqës nga “Koalicioni i të vullnetshmëve”, vende që mbështesin Ukrainën. Në këtë videolidhje nuk ishte Trumpi.
Në disa kryeqytete evropiane është rritur ndjenja se Ukraina do të duhej të bënte kompromise të dhimbshme, ndërsa vendi hyn në dimrin e katërt të luftës së shkallës së plotë.
Megjithatë liderët e Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, të cilët u takuan me Zelenskyn në Londër të hënën, thonë se vetëm Ukraina mund të vendosë për çështje territoriale.
Zelensky ka thënë se përveç marrëveshjes së përgjithshme kornizë, ka edhe dy dokumente të veçanta që Ukraina shpreson t’i nënshkruajë në ditët në vijim, një mbi garancitë e mundshme të sigurisë që do të hynin në fuqi nëse Rusia e sulmon sërish Ukrainën dhe një mbi ripërtëritjen ekonomike të Ukrainës.
Po ashtu të enjten zyrtarët e BE-së u takuan në Lviv, në perëndim të Ukrainës, për të diskutuar për perspektivën e pranimit të Ukrainës, ndonëse udhëheqësi i Hungarisë, Viktor Orban, që është miqësor me Rusinë, vazhdon të bllokojë.
Gjithë shtetet e tjera anëtare të BE-së janë në favor të anëtarësimit të Ukrainës dhe zyrtarët kanë thënë se duan ta pranojnë gjithsesi Ukrainën, me kusht që vendi mund të ecë përpara në përafrimin e ligjeve dhe praktikave të saja me rregulloret e BE-së.
“Ukraina do të bëhet anëtare e BE-së, askush s’mund ta bllokojë atë”, tha Marta Kos, komisionerja për zgjerim e BE-së.
Zelensky tha se shpreson që Trumpi të ushtrojë presion mbi Hungarinë dhe çdo vend tjetër të BE-së që mund ta bllokojë Ukrainën.
“Ne të gjithë e kuptojmë se presidenti amerikan ka leva të ndryshme ndikimi dhe këto do të funksionojnë mbi ata që po e bllokojnë aktualisht Ukrainën”, tha Zelensky.