Botë

Zelensky: Rusia po heziton për një rund të ri bisedimesh

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Moska po “heziton” për një rund tjetër bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për ndalimin e luftimeve.

Uashingtoni ka propozuar negociata të tjera javën e ardhshme midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Miami ose në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, që ishte vendi i takimit të fundit, ka thënë Zelensky të mërkurën.

Sipas tij, Ukraina e ka konfirmuar menjëherë se do të marrë pjesë.

“Deri tani, sipas asaj që kuptoj, Rusia po heziton”, u ka thënë Zelensky gazetarëve përmes një aplikacioni mesazhesh.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar të godasë zona civile ukrainase, përfshirë zona banimi dhe rrjetin energjetik, ndërkohë që Moska zyrtare nuk i është përgjigjur një propozimi amerikan për një “armëpushim energjetik”, i cili do të ndalonte gjithashtu sulmet me dronë të Ukrainës ndaj objekteve ruse të naftës, sipas Zelenskyt.

Ai ka shtuar se përfundimi i luftës varet gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është një garanci sigurie, mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë paketa të forta ushtarake dhe më shumë. Prandaj, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje sot varet ekskluzivisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur ai.

Në rundin e fundit të bisedimeve, është arritur një marrëveshje për shkëmbim të burgosurish.