Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po përballet me disa kriza njëkohësisht, ndërsa vendi i tij po hyn në vitin e katërt të pushtimit të plotë rus.
Ai po përballet me një skandal korrupsioni që ka shpërthyer në nivelet e larta të qeverisë, me trysni të forta nga SHBA-ja për një plan paqeje që kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina, dhe me avancime të reja të ushtrisë ruse në front. Ndërkohë, sulmet e vazhdueshme ruse ndaj centraleve kanë shkaktuar mungesa të mëdha të energjisë, pikërisht në fillim të dimrit.
Këto janë pesë gjërat kryesore që duhen ditur për situatën:
1. Rebelim brenda partisë së Zelenskyt
Prej më shumë se një jave, Zelensky po përpiqet të kontrollojë pasojat e një skandali prej 100 milionë dollarësh, ku hetuesit pretendojnë se janë vjedhur para nga sektori i energjisë përmes ryshfeteve dhe kontratave mashtruese.
Pas publikimit të detajeve, ai shkarkoi dy zyrtarë të rëndësishëm dhe vendosi sanksione ndaj disa personave të afërt me të. Njëri prej tyre, Tymur Mindich - partner biznesi i Zelenskyt nga koha kur ai merrej me produksione televizive - raportohet se ka ikur nga vendi.
Disa deputetë dhe aktivistë po kërkojnë shkarkimin e shefit të stafit presidencial, Andrii Yermak.
Edhe pse as Zelensky, as Yermak nuk janë akuzuar nga hetuesit, politikanët thonë se Yermak ka shumë ndikim në emërimet qeveritare dhe në vendimmarrje, prandaj duhet të marrë përgjegjësi morale.
Partia “Shërbëtori i Popullit”, që Zelensky drejton, fitoi mbi dy të tretat e vendeve në parlament në vitin 2019. Por disa deputetë paralajmërojnë se nëse ai nuk ndahet nga Yermak, mund të ketë ndarje ose largime nga partia - çka do t’ia rrezikonte Zelenskyt shumicën parlamentare.
Sipas ekspertëve politikë, shumë aleatë të presidentit mendojnë se diçka duhet të ndryshojë, edhe nëse nuk e thonë publikisht. Një nga kritikat kryesore është se shumë pushtet është përqendruar në duart e Yermakut dhe rrethit të tij të ngushtë.
“Sistemi i drejtimit që përdor Zelensky nuk po funksionon”, thotë analisti Mykola Davidiuk.
Si do ta menaxhojë presidenti këtë krizë korrupsioni, mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Ukrainës me aleatët ndërkombëtarë.
2. Pushteti i Zelenskyt nuk rrezikohet menjëherë
Si pasojë e pushtimit rus, në Ukrainë është shpallur ligji i luftës dhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë shtyrë pa afat të caktuar.
Kjo do të thotë se pavarësisht pakënaqësive apo rënies së popullaritetit, Zelensky nuk ka gjasa të humbasë postin gjatë luftës, përveç nëse ai vendos të japë dorëheqje vetë.
Zakonisht mandati presidencial është pesë vjet, dhe zgjedhjet e radhës ishin planifikuar për pranverën 2024, por tani janë të pezulluara.
Nëse Zelensky do të detyrohet të miratojë një marrëveshje paqeje në parlament, vështirësitë politike brenda partisë së tij mund ta bëjnë këtë proces shumë më të komplikuar. Po ashtu, lidhja e tij e fortë me Yermakun mund të ndikojë negativisht nëse ai vendos të rikandidojë pas luftës.
3. Një ish-gjeneral i njohur shihet si rival i mundshëm – por ai mohon ambiciet politike
Opozita zyrtare në Ukrainë është e dobët. Ish-presidenti Petro Poroshenko nuk ka arritur të rrisë mbështetjen përtej bazës së tij të vogël.
Përpjekjet e tij për të bërë një votë mosbesimi ndaj qeverisë dështuam - ai mori më pak se gjysmën e 150 votave që nevojiteshin.
Ndërkohë, një figurë shumë e njohur është ish-komandanti i forcave të armatosura, Valerii Zaluzhnyi, i cili udhëhoqi kundërofensiva të rëndësishme në vitin e parë të luftës, deri sa u shkarkua në fund të vitit 2023. Ai tani është ambasador i Ukrainës në Britaninë e Madhe.
Edhe pse Zaluzhnyi thotë se nuk synon të hyjë në politikë, sondazhet tregojnë se ai mund të ishte konkurent i fortë i Zelenskyt në një proces zgjedhor. Kjo mban gjallë spekulimet se një ditë mund të kandidojë.
4. SHBA-ja dhe Rusia kanë hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës, por kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina
Sipas një drafti që ka siguruar Associated Press, SHBA-ja dhe Rusia kanë përgatitur një propozim për paqen, i cili do të kërkonte që Ukraina të pranojë disa kërkesa që Moska i ka bërë që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022.
Plani parashikon që:
• Ukraina t’i dorëzojë territor Rusisë,
• dhe të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj.
Sipas dokumentit, Rusia do të merrte kontroll të plotë mbi rajonin lindor të Donbasit edhe pse Ukraina ende kontrollon një pjesë të tij.
Zelensky ka refuzuar më herët kushte të ngjashme, duke thënë se janë antikushtetuese dhe padrejtësi e hapur ndaj vendit të tij. Zyra e tij ka konfirmuar se e ka marrë planin, por pa bërë komente.
Publikimi i planit vjen pikërisht kur Zelensky po përballet me trazira të brendshme politike.
“Koha është shumë e keqe për Ukrainën”, thotë Orysia Lutsevych nga Chatham House.
Ajo shton se si SHBA-ja, ashtu edhe Rusia po e shohin dobësinë e presidentit dhe po i shtojnë presionin. Megjithatë, disa vende evropiane po e mbështesin Kievin dhe po shprehen kundër planit.
5. Rusia po shton sulmet në front dhe ndaj sistemit energjetik, duke e vënë Ukrainën edhe më në vështirësi
Ndërkohë, situata në terren është përkeqësuar. Ushtria ruse, që tani është më e pajisur dhe më e madhe, po shton sulmet në disa zona të frontit 1.000 km të gjatë.
Forcat ruse po avancojnë ngadalë në rajonin e Kharkivit, drejt qyteteve Kupiansk dhe Lyman, të cilat Ukraina i rimori në vitin e parë të luftës.
Betejat më të ashpra po zhvillohen rreth qytetit të Pokrovskut, një qendër e rëndësishme logjistike në Donetsk, që është nën presion të madh nga Rusia.
Sulmet ruse mbi centralet elektrike në nëntor kanë shkaktuar ndërprerjet më të rënda të energjisë që nga fillimi i luftës. Ndërsa temperaturat po bien, mungesa e rrymës po përkeqëson gjendjen e popullsisë.