Botë

Zelensky kërkon takim trepalësh me Trumpin dhe Putinin

Donald Trump, Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për një samit trepalësh mes tij, presidentit amerikan, Donald Trump  dhe atij rus, Vladimir Putin.

Thirrja e Zelenskyt është bërë pak para se të mbërrinte në Berlin të mërkurën, ku do të takohet me kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz.

"Nëse Putini nuk është i kënaqur me një takim dypalësh, ose nëse të gjithë duan që ai të jetë një takim trepalësh, nuk e kam problem. Unë jam gati për çdo format”, ka thënë Zelensky në komentet për gazetarët të martën, e që janë publikuar të mërkurën, sipas Agence France-Presse (AFP).

Ndërkohë, Rusia pritet të shpallë së shpejti rundin tjetër të bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, ka thënë të mërkurën ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Statusi neutral i Ukrainës mbetet një nga kërkesat kryesore të Rusisë në negociatat e paqes, ka thënë Lavrov, sipas Reuters.

Presidenti rus Putin ka refuzuar thirrjet për të takuar Zelenskyn në Turqi në fillim të këtij muaji dhe Kremlini ka thënë se një takim mes dy liderëve do të ndodhte vetëm pasi të arrihet një lloj "marrëveshjeje".

E presidenti amerikan, ndërkohë, ka shprehur zhgënjimin si ndaj Putinit ashtu edhe ndaj Zelenskyt që nuk po arrijnë një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës.