Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar sanksione ndërkombëtare më të rënda ndaj Rusisë pas një sulmit në Kiev që la të vdekur të paktën 31 persona. Zelensky tha se pesë fëmijë, më i vogli prej të cilëve ishte vetëm dy vjeç, ishin ndër viktimat dhe se 159 të tjerë ishin plagosur gjatë sulmit të enjten.
Ai shtoi se pavarësisht sa shumë Kremlini mohon efektivitetin e sanksioneve, ato funksionojnë – dhe ato duhet të forcohen.
Kievi shpalli një ditë zie pas sulmit në kryeqytet, ku një bllok banimi u shemb dhe u dëmtuan një spital, një shkollë, një çerdhe dhe një universitet. Rusia kishte lëshuar më shumë se 300 dronë dhe tetë raketa lundruese gjatë sulmit të natës, ka njoftuar forca ajrore e Ukrainës. Ky sulm ishte një nga më vdekjeprurësit që ka përjetuar Kievi që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022, raporton BBC.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dënuar veprimin e Rusisë në Ukrainë dhe ka theksuar se sanksione të reja ndaj Moskës janë të mundshme.
John Kelley, përfaqësuesi i përkohshëm i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten se Rusia dhe Ukraina “duhet të negociojnë një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme”. Ai ka shtuar se është koha për të bërë një marrëveshje.
Zyrtarët ukrainas thanë të premten se Kievi kishte marrë “sinjale pozitive” nga SHBA-ja për mundësinë e sanksioneve të reja, sidomos ato që do të synonin naftën ruse dhe tregjet dytësore.
Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka theksuar se Trumpi ka duruar por tani është koha për t’i bërë presion maksimal Moskës.