Ukraina do të dërgojë një delegacion në Stamboll për një rund të ri të bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me Rusinë të hënën, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë në Telegram të dielën Zelensky ka thënë se ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov do të udhëheqë delegacionin ukrainas.
“Ne po bëjmë gjithçka për të mbrojtur pavarësinë tonë, shtetin tonë dhe popullin tonë”, ka thënë Zelensky.
Zyrtarët ukrainas i kishin bërë thirrje më parë Kremlinit që të sigurojë një memorandum të premtuar që përcakton qëndrimin e tij për përfundimin e luftës, përpara se të zhvillohet takimi.
Moska kishte thënë se do të ndante memorandumin e saj gjatë bisedimeve.
Deklarata e Zelenskyt vjen pasi Rusia ka lëshuar numrin më të madh të dronëve në Ukrainë që nga pushtimi në shkallë të plotë tre vjet më parë, kanë njoftuar të dielën forcat ajrore të Ukrainës.
Forcat ajrore kanë thënë se 472 dronë janë lëshuar mbi Ukrainë.
Më herët të dielën, ushtria e Ukrainës ka thënë se të paktën 12 pjesëtarë të shërbimit ukrainas u vranë dhe më shumë se 60 u plagosën në një sulm me raketa ruse në një njësi stërvitore të ushtrisë.
Ndërkohë, Ukraina ka sulmuar të dielën bombarduesit rusë me rreze të gjatë me aftësi bërthamore në një bazë ushtarake në Siberi, sulmi i parë i tillë deri më tani nga vijat e frontit më shumë se 4,300 km larg, sipas blogerëve pro-rusë.