Tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë pasi shpërthimi i një kanalizimi ka shkaktuar rrëshqitje të dheut, e cila rrëzoi një tren pasagjerësh në jugperëndim të Gjermanisë, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Prokurorët kanë bërë të ditur se treni ka dalë nga shinat ndërmjet Riedlingen dhe Munderkingen, pranë qytetit të Stuttgartit të dielën, pas reshjeve të dendura në atë zonë, ka raportuar BBC.
Vlerësohet se moti i keq ka shkaktuar mbingarkesë të kanalizimeve, gjë që ka rezultuar në rrëshqitje të dheut përgjatë brigjeve pranë shinave.
Shoferi i trenit, një punonjës i hekurudhës dhe një pasagjer kanë humbur jetën, teksa 41 persona janë plagosur.
Të dielën, kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se ai “ndien dhimbje për viktimat” dhe se i ka ofruar “ngushëllimet më të thella” për familjet e tyre.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ai ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Punëve të Brendshme dhe atë të Transportit, teksa iu ka kërkuar atyre që t’i ofrojnë shërbimeve emergjente çdo ndihmë të nevojshme.