Në një koment të redaksisë së gazetës “Washington Post” mbi eskalimin e gjendjes mes Izraelit dhe Iranit, paralajmërohet SHBA-ja dhe veçanërisht presidenti Donald Trump që të mos bëhet pjesë e një lufte të re në Lindjen e Mesme, aq më pak SHBA-ja s’duhet të bëhet pjesë e një përpjekjeje për ta rrëzuar regjimin iranian.
Sipas “Washington Post”, qëllimet e SHBA-së dhe të Izraelit aktualisht janë të ndryshme. Trump është i interesuar për të rifilluar bisedimet me Iranin dhe për të arritur një marrëveshje të re për kufizimin e programit bërthamor iranian, ndërkohë që Izraeli – nën udhëheqjen e Benjamin Netanjahut – vazhdon ofensivën ushtarake, duke sulmuar caqe të ndryshme brenda Iranit: nga baza ushtarake dhe objekte bërthamore deri te aeroportet dhe stacionet e policisë.
“Washington Post” nënvizon se qëllimi i vërtetë i Netanjahut nuk është vetëm ta ndalë programin bërthamor iranian apo t’i ndalë raketat iraniane ndaj qyteteve izraelite, por ndoshta të dobësojë aq shumë shtetin iranian, saqë kjo të shpie në rënien e regjimit. Ai e sheh momentin si të favorshëm: forcat izraelite kanë dobësuar ndjeshëm përfaqësuesit e Iranit në Gazë dhe Libanin Jugor, dhe regjimi i Asadit në Siri ka rënë.
Por për të goditur strukturat më të mbrojtura iraniane – si objekti bërthamor në Fordow, i ndërtuar thellë në mal – Izraeli nuk ka kapacitete teknike. Për këtë i nevojiten bombat e rënda amerikane MOP dhe avionët B-2. Këto i ka SHBA-ja, Izraeli nuk i ka. Nëse SHBA-ja vendos të ndihmojë në këtë sulm, atëherë do të përfshiheshin drejtpërdrejt në luftë me Iranin.
Trump ndodhet mes dy presionesh të kundërta: nga njëra anë janë aleatët proizraelitë dhe armiqtë e Iranit që kërkojnë ndërhyrje ushtarake amerikane; nga ana tjetër, mbështetësit e tij izolacionistë që duan të shmangin çdo përfshirje dhe ta lënë Izraelin të veprojë vetë.
Irani, ndërkohë, ka shmangur goditjen e caqeve amerikane, ndoshta për të mos i dhënë SHBA-së një justifikim për t’u përfshirë ushtarakisht. Gjithsesi, SHBA-ja është de fakto e përfshirë në konflikt, pasi është partneri kryesor i Izraelit dhe ka detyrim ta ndihmojë në mbrojtjen ndaj sulmeve raketore iraniane.
Në koment “Washington Post” paralajmëron se është iluzion të besohet se një ndërhyrje e jashtme mund të sjellë ndërrim regjimi pa pasoja. Përvojat në Libi dhe Afganistan tregojnë se është e lehtë ta rrëzosh një regjim me bomba, por shumë më e vështirë të instalosh një qeveri të qëndrueshme dhe të moderuar. Nëse qëllimi i Netanjahut është rrëzimi i regjimit në Teheran, SHBA-ja duhet ta detyrojë atë të shpjegojë planin për kohën pas rrëzimit të regjimit dhe të marrë masa për të shmangur një kaos të ngjashëm si në Libi dhe Afganistan. Ky kaos nxiti ekstremizëm dhe destabilitet rajonal. Ende ekziston mundësia për t’i rifilluar negociatat bërthamore, por dritarja kohore për këtë opsion mund të mbyllet shpejt.
Përgatiti: E.R.
