Viktimat civile në Ukrainë të shkaktuara nga bombardimet janë rritur me 26% gjatë vitit 2025, duke reflektuar shtimin e shënjestrimit rus ndaj qyteteve dhe infrastrukturës në vend, sipas një grupi global që monitoron konfliktet.
Organizata Action on Armed Violence (AOAV) ka thënë se 2,248 civilë janë raportuar të vrarë dhe 12,493 të plagosur nga mjetet shpërthyese në Ukrainë, bazuar në raportime në gjuhën angleze, teksa numri i viktimave për çdo incident është rritur ndjeshëm.
Mesatarisht, 4.8 civilë u raportuan të vrarë ose të plagosur në çdo sulm, 33% më shumë se në vitin 2024. Sulmi më i rëndë ka ndodhur në Dnipro më 24 qershor. Raketat ruse goditën një tren pasagjerësh, apartamente dhe shkolla, duke vrarë 21 persona dhe plagosur 314, përfshirë 38 fëmijë.
Sulmet me raketa dhe dronë ndodhën pothuajse çdo natë në të gjithë Ukrainën gjatë vitit 2025 dhe vazhduan edhe në vitin 2026, duke lënë miliona njerëz me qasje të kufizuar ose pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë. Gjithsej 805 dronë dhe 13 raketa shënjestruan Ukrainën natën e 9 shtatorit, sulmet ajrore më të mëdha të regjistruara gjatë luftës.
AOAV monitoron shifrat e viktimave civile bazuar në raportime në gjuhën angleze për incidente të dhunës me mjete shpërthyese në mbarë botën. Megjithëse metoda është e qëndrueshme, ajo nënvlerëson numrin real të civilëve të vrarë dhe të plagosur, pjesërisht sepse raportimet mediatike në një gjuhë të vetme janë pashmangshëm të paplota.
Në nivel global, viktimat civile ranë me 26% nga niveli më i lartë 10-vjeçar i regjistruar nga grupi monitorues në vitin 2024, kryesisht për shkak të armëpushimit të tetorit në Gazë, që më parë ishte konflikti më vdekjeprurës dhe më i rrezikshëm për civilët. Viktimat civile të regjistruara nga AOAV në Gaza ishin 14,024 në vitin 2025, 40% më pak se një vit më parë.
Ushtria e Izraelit në fund të muajit të kaluar sinjalizoi se e pranonte se numri i viktimave i përpiluar nga autoritetet në Gazë ishte përgjithësisht i saktë. Një zyrtar i sigurisë e ka pranuar se 70,000 palestinezë ishin vrarë që nga tetori 2023, në përputhje me shifrën më të fundit të ministrisë së Shëndetësisë në Gazë e cila ka raportuar për 72,061 të vrarë dhe 171,715 të plagosur.
Shteti përgjegjës për numrin më të madh të të vrarëve dhe të plagosurve nga dhuna me mjete shpërthyese është Izraeli, pak përpara Rusisë.
Përfshirja e Izraelit në disa konflikte gjatë vitit 2025 bëri që ai të regjistrohej si përgjegjës për 35% të të gjitha viktimave të raportuara, kundrejt 32% për Rusinë. Luftërat në Sudan dhe Birmani ishin më pas më vdekjeprurëset, me 5,438 dhe 3,178 viktima të regjistruara përkatësisht.
“Në Ukrainë, Birmani, Gaza dhe Sudan, mesazhi është i njëjtë”, ka thënë Overton. “Kur pandëshkueshmëria normalizohet, krimet e luftës pushojnë së qeni përjashtime tronditëse dhe fillojnë të ngjajnë me një metodë lufte".