Gjenerali më i lartë i ushtrisë kineze, Zhang Youxia, po hetohet për shkelje të dyshuara serioze të disiplinës dhe ligjit, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes të shtunën.
Youxia, më i larti nga dy nënkryetarët e Komisionit të fuqishëm Qendror Ushtarak, është figura e fundit që bëhet pre e një spastrimi të gjatë të zyrtarëve ushtarakë. Komisioni është organi më i lartë ushtarak në Kinë, raporton CNN.
Analistët besojnë se spastrimet janë të dizajnuara si për të reformuar ushtrinë ashtu edhe për të siguruar besnikërinë ndaj udhëheqësit kinez, Xi Jinping, i cili gjithashtu kryeson komisionin ushtarak.
Ato janë pjesë e një fushate më të gjerë kundër korrupsionit, që ka ndëshkuar më shumë se 200,000 zyrtarë që kur Xi ka ardhur në pushtet në vitin 2012.
Një anëtar tjetër i komisionit, Liu Zhenli, është vënë gjithashtu nën hetim nga Partia Komuniste në pushtet e Kinës, ka thënë në një deklaratë e ministria e Mbrojtjes.
Në deklaratë nuk është dhënë asnjë detaj mbi shkeljet e dyshuara.
Zhang, i cili është 75 vjeç, u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare Popullore në vitin 1968 dhe është gjeneral nga forcat e saj tokësore.
Partia Komuniste përjashtoi nënkryetarin tjetër të komisionit, He Ëeidong, tetorin e kaluar dhe e zëvendësoi atë me anëtarin e komisionit, Zhang Shengmin.