Botë

Vëllai i Mbretit Charles largohet nga rezidenca e tij për shkak të lidhjeve me Epstein

Princi Andrew

Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i Mbretit Charles, është larguar nga rezidenca e tij madhështore, ka konfirmuar të mërkurën një burim mbretëror.

Lëvizja vjen pas zbulimeve të lidhjeve të tij me të ndjerin Jeffrey Epstein.

Ish-princi, 65 vjeç, kishte shpresuar të qëndronte edhe për ca kohë në Royal Lodge, shtëpinë e tij në Windsor ku ka jetuar prej dekadash, ka raportuar gazeta The Sun. Megjithatë, ai është zhvendosur të hënën dhe është dërguar në një vilë në Sandringham, pronë e mbretit në Norfolk.

Një burim mbretëror ka konfirmuar se ai tani banon aty, por ka shtuar se ai mund të kthehet herë pas here në Windsor gjatë javëve në vijim.

“Me publikimin e grupit të fundit të dokumenteve për Epstein, iu bë e qartë se kishte ardhur koha të largohej”, ka cituar The Sun të ketë thënë një mik të tij. 

Charles ia ka hequr Andrewit titujt e tij në tetor dhe ka deklaruar se ai do të zhvendosej pasi dolën në pah detaje mbi marrëdhënien e tij të vazhdueshme me Epstein.

Mbreti ka deklaruar gjithashtu se solidariteti i tij është me viktimat e abuzimit.

Dokumente të reja lidhur me Epstein, të publikuara të premten nga Departamenti Amerikan i  Drejtësisë, përfshijnë emaile që sugjerojnë se Andreë ka mbajtur kontakt të rregullt me Epstein për një kohë të gjatë.

Andrew ka mohuar çdo keqbërje në lidhje me Epsteinin dhe më parë kishte mohuar se kishte mbajtur lidhje me financierin përveç një vizite në New York në vitin 2010 për t’i dhënë fund marrëdhënies së tyre.