Botë

Vdiq në moshën 25-vjeçare “foshnja mrekulli” që u lind në pemë në Mozambik

Vdiq në moshën 25-vjeçare “foshnja mrekulli” që u lind në pemë në Mozambik

Ka vdekur Rosita Salvador Mabuiango, 25 vjet pasi ishte parë si “foshnja mrekulli” që u lind në një pemë në Mozambik ku e ëma e saj ishte ngjitur për t’u shpëtuar përmbytjeve.

Pamjet e foshnjës së porsalindur dhe nënës së saj tek shpëtoheshin nga helikopteri ishin bërë një prej imazheve më të famshme në botë në vitin 2000, në kohën kur Mozambiku u përball me përmbytjet më të rënda në histori.

Duke reflektuar mbi jetën e Rositës, presidenti Daniel Chapo e ka përshkruar si simbol për vajzat e shtetit.

Në shkurt të 2000-s, qindra njerëz humbën jetën e qindra mijëra të tjerë u evkuuan pasi lumi Limpopo doli nga shtrati.

E ëma e Rositës, Carolina Cecilia Chirindza, ishte një nga gratë që u gjet në mes të vërshimeve.

“Ishte e diel pasdite, rreth orës 16:00, dhe niveli i ujit u rrit. Uji po ngrihej në nivel në shtëpi dhe shpejtësia sa vinte e forcohej. Prandaj të gjithë në fshat u ngjitëm nëpër pemë. I kapa dy fëmijët në shpinë dhe u ngjita lart. Ishte shumë e vështirë. Ishim 15 persona në pemë dhe qëndruam për katër ditë. U lutëm e u lutëm. S’kishim asgjë për të ngrënë dhe fëmijët na qanin. Por s’kishim çka t’u bënim”, ka cituar “Kryqi i Kuq” gruan më 2000.

Në orët e para të së mërkurës, Carolina e solli në jetë një vajzë dhe menjëherë u vunë re nga një helikopter i Ushtrisë së Afrikës së Jugut, që po kryente operacionin e shpëtimit.

Të dyja u bënë simbol i mbijetesës.

Më vonë gjatë atij viti, kishin udhëtuar drejt SHBA-së për të treguar rrëfimin para botës.

Këtë të hënën, tek ka konfirmuar vdekjen e motrës në moshën 25-vjeçare, motra e saj Celia Salvador i ka thënë BBC-së se ajo vdiq si pasojë e një sëmundjeje të gjatë.

“Jam jashtëzakonisht e mërzitur. Ajo vdiq nga një sëmundje që nuk jam në gjendje ta shpjegoj se çka ishte”, ka thënë ajo.

Sipas burimeve të familjes, Rosita është përballur për vite të tëra me anemi. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ajo ishte në spital për më shumë se dy javë.

“Shumë lajm i rëndë. Ngushëllime familjes”, i ka thënë BBC-së presidenti i Mozambikut. “Ajo ishte simbol për vajzat në Mozambik. Prandaj, ngushëllime të gjithë popullit të Mozambikut, sidomos vajzave tona”.

Rosita u rrit me familjen e saj dhe kreu shkollën e lartë në Chibuto edhe ku u lind. Ajo kishte një vajzë pesëvjeçare.