Botë

Vdiq David Nabarro, përfaqësues i OBSH-së për COVID-19

nabarro

David Nabarro, që ishte përfaqësues i posaçëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për COVID-19 që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, njoftoi OBSH-ja të shtunën.

“David ishte një mbrojtës i madh i shëndetit në mbarë botën dhe ndihmoi shumë njerëz gjatë jetës së tij. Ai ishte një këshilltar i zgjuar dhe i dashur për shumë të tjerë, shkroi drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në rrjetin social X, raporton Reuters.

Nabarro ishte gjithashtu bashkëdrejtor i Institutit për Inovacion në Shëndetin Global në universitetin Imperial College në Londër.

Gjatë pandemisë në vitin 2021, ai kërkoi që vendet e pasura të ndihmonin më shumë vendet e varfra, duke thënë se kjo krizë shëndetësore ishte diçka që njerëzimi nuk e kishte  përjetuar kurrë më parë”.

Në vitin 2017, ai kandidoi për drejtues të OBSH-së, por doli i dyti pas Tedrosit.