Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vance: Nuk i kthehemi luftës, veç nëse është e domosdoshme

JD Vance

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka thënë se bisedimet teknike të së mërkurës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit në Katar për Ngushticën e Hormuzit kanë ecur mirë. Ai ka thënë se Washingtoni nuk do t’i kthehet luftës, përpos në rast të domosdoshmërisë.

Bisedimet po zhvillohen mbi një dakordim prej 14 pikësh të nënshkruar muajin e shkuar, që parashihte ndaljen e luftës së nisur në shkurt dhe hapjen e ngushticës, duke caktuar 60-ditëshin si periudhë për të negociuar për marrëveshjen finale të paqes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjithsesi, të dyja shtetet janë përplasur publikisht mbi marrëveshjen e përkohshme duke kryer sulme ushtarake ndaj njëra-tjetrës javën e shkuar e duke komplikuar negociatat.

Vance nuk ka mundur të garantojë që Washingtoni nuk do t’u kthehet luftimeve para afatit të muajit të ardhshëm, por ka bërë të ditur se urdhri nga presidenti Donald Trump është për të arritur marrëveshje.

“Nuk mund të zotohem për asgjë, sepse padyshim që varet nga ajo që do të bëjnë iranianët në fund të fundit”, ka thënë ai për gazetarët nga Virginia. “Ajo për të cilën mund të zotohem është që presidenti nuk do ta çojë ushtrinë përsëri përveç nëse është i detyruar, përveç nëse ka qëllim të qartë për këtë”.

Në Doha, bisedimet teknike u fokusuan në çështjen e kalimit të anijeve në ngushticë dhe më pas planifikoheshin për kapacitetet bërthamore.

“Është ende shumë herët, por bisedimet po ecin mirë”, ka thënë ai, raporton Reuters.

Irani është i vendosur që të ketë të drejtën e kontrollit mbi ngushticën e rëndësishme që shfrytëzohet për tranzit të 20 për qind të naftës në nivel bote. Ky shtet, sipas burimeve iraniane, synon të vendosë tarifa që hyjnë ose dalin nga Gjiri.

Në ngushticë, trafiku po zhvillohet pjesërisht.

Trumpi, i cili ka thënë se heqja e uraniumit të pasuruar nga Irani është çështje kryesore, u ka thënë gazetarëve të mërkurën se “denuklearizimi i Iranit po ecën mirë”, pa dhënë detaje.

“Ata kanë bërë rrugë të gjatë. Ne i goditëm shumë fort javën e kaluar. Mendoj se janë mirë”, u përgjigj Trumpi i pyetur nëse mund të ketë kthim në luftë të plotë me Iranin.

Bisedimet që u zhvilluan të mërkurën ishin vazhdimësi e të martës. Bisedimet indirekte po ndërmjetësohen nga Katari dhe Pakistani.

Në bisedime ka seanca midis kryenegociatorëve dhe specialistëve. Emisari amerikan, Steve Witkoff e dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, janë takuar me kryeministrin e Katarit për të nisur bisedimet, por nuk pritej të jenë pjesë e diskutimeve. Ndërkaq nga Irani takimet u udhëhoqën prej zëvendësministrit të Jashtëm, Kazem Gharibabadi dhe një delegacioni qeveritar.

Irani është shprehur publikisht se prioritet i tij mbetet menaxhimi i ngushticës dhe lirimi i aseteve të ngrira iraniane, në vlerë prej 6 miliardë dollarësh. Zyrtarët iranianë kanë thënë se bisedimet do t’i kenë këto dy çështje kyçe.

Ndërkaq nga pala amerikane qëllimi është sigurimi që në ngushticë do të ketë rrjedhë të trafikut.