Udhëheqësi i Ushtrisë së Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi, ka deklaruar të enjten se ukrainasit kanë qenë të suksesshëm në ndalimin e avancimit të forcave ushtarake ruse në rajonin verilindor të Sumyt.
Gjatë vizitës së tij në vijën e frontit, Syrskyi ka thënë se vija e luftimeve është “stabilizuar” dhe se ofensiva verore e Rusisë në atë zonë është “mbytur”, ka raportuar BBC.
Mes tjerash, Syrskyi ka shtuar po ashtu se i ka kontrolluar personalisht fortifikimet në rajon, tek ka konstatuar se numri i tyre duhet të rritet urgjentisht.
Komentet e tij në lidhje me suksesin e trupave ukrainase në Sumy, mbështesin deklarimet e mëhershme të zyrtarëve ukrainas se presioni i Rusisë në rajon ka pësuar rënie të dukshme.
Sido që të jetë, situata mbetet “e paqëndrueshme”, pati thënë një zëdhënës ukrainas disa ditë më parë.
Sumy ndodhet në kufi me rajonin rus të Kurskut, pjesë të të cilit ishin kapur dhe okupuar vitin e kaluar nga forcat e Ukrainës në kuadër të një ofensive të rrufeshme, përpara se të tërhiqeshin pothuajse plotësisht disa muaj më vonë.
Sulmi i papritur në Kursk ishte moment turpërimi për Rusinë, ndërsa në muajin prill, presidenti rus Vladimir Putin, pati shpallur planet për të krijuar një “zonë neutrale të sigurisë” përgjatë kufirit, si mënyrë për të mundësuar “mbështetje shtesë” ndaj disa pjesëve në Rusi të cilat kufizohen me rajonet ukrainase të Kharkivit, Sumyt dhe Chernihivit.