Planet e detajuara të ushtrisë amerikane për një paradë në ditëlindjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, parashikojnë më shumë se 6,600 ushtarë, të paktën 150 automjete, 50 helikopterë, shtatë grupe muzikore dhe disa mijëra civilë, raporton The Guardian.
Në të njëjtën kohë, Fox News ka raportuar se data e paradës është miratuar përfundimisht dhe do të mbahet më 14 qershor. Kjo datë simbolizon edhe 250-vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara si dhe ditëlindjen e Trumpit, i cili do të mbushë 79 vjeç.
Përveç ushtarëve në detyrë, parada do të përfshijë aktorë, pajisje dhe elementë nga një sërë ngjarjesh historike amerikane, që nga lufta për pavarësi deri te lufta civile, dy luftërat botërore dhe konfliktet më të fundit në Vietnam, Irak dhe Afganistan.
“Presidenti po planifikon një festim historik për 250-vjetorin e ushtrisë që do të nderojë brezat e amerikanëve që kanë rrezikuar gjithçka për lirinë tonë”, ka thënë Vince Haley, drejtor i Këshillit për politikën e brendshme në Shtëpinë e Bardhë.